Kulturë

Ndahet nga jeta aktori i njohur Demir Hyskja

06.08.2016 13:51

Ndahet nga jeta aktori i njohur në kinematografinë shqiptare Demir Hyskja.

Aktori 79-vjeçar ndëroi jetë pasi prej disa kohësh ishte shtruar në spitalin rajonal të Elbasanit dhe ndodhej në gjendje të rëndë.
 
U nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nesër në Teatrin Skampa do të zhvillohen homazhet për ti dhënë më pas lamturinën e fundit.
 
Demir Hyskja lindi në 1 janar 1937 në qytetin e Elbasanit. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në qytetin e lindjes. Në vitet 1951-1955 përfundoi shkollën e mesme të ndërtimit. Teknik ndërtimi në vitet 1955-1962 dhe më tej aktor në teatrin “Skampa”.
 
Gjatë punës 30-vjeçare në teatër ka realizuar mbi 50 role kryesore. Në Kinostudion “Shqipëria e Re” ka realizuar 24 filma artistike dhe dokumentarë. 
 
Është dekoruar disa herë me dekorata të shkallëve të ndryshme deri tek “Naim Frashëri i Klasit të Parë”. Në vitin 1969 nderohet me titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 nderohet me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Është zgjedhur katër herë radhazi deputet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë.