Maqedoni
Votuesit e kontestueshëm, vetëm 7% kanë rregulluar statusin në KSHZ
06.08.2016 16:14
As 7% e votuesve të kontestuar nuk e kanë rregulluar statusin e tyre në KSHZ për t’u rivënë në Listën zgjedhore...

Deri në mesditë janë paraqitur gjithsej 2.571 qytetarë, të dhënat e së cilëve në Listën zgjedhore pas kontrolleve të kryera në terren dhe të kryqëzuara janë kontestuese.
“Në KSHZ, prej 39 502 që janë të obliguar të paraqiten, deri tani janë paraqitur mbi 2500 persona apo votues, të cilët e kanë rregulluar çështjen e statusit dhe do të jenë në listë të rregullt. Apeloj që të gjithë të tjerët të paraqiten deri më 19 gusht që të shfrytëzojnë të drejtën që të rregullojnë statusin e tyre që ka dalë si çështje kontestuese nga Kodi Zgjedhor i miratuar me konsensus nga katër partitë politike”, Ton Subhi Jakupi, anëtar i KSHZ-së.
Sa u përket 171 mijë votuesve nga ekstrakti i Listës Zgjedhore, Jakupi sqaron se e drejta e tyre e votës nuk kontestohet, por ata mund të vedosin nëse këtë të drejtë do ta shfrytëzojnë në Maqedoni ose do të votojnë në diasporë. Për këtë të dytën duhet të paraqiten në përfaqësitë diplotmatike konsulare të Maqedonisë.
“Këto votues edhe pse janë në listë të veçantë do të kenë të drejtën që të votojnë në Republikën e Maqedonisë ose, me dëshirën e tyre, në diasporë, nëse paraqiten, që dmth e drejta e votës nuk u kontestohet këtyre votuesve”, shtoi Jakupi.
Ekstrakti i Listës Zgjedhore, ku janë përfshirë mbi 171 mijë votuesve, kryesisht nga diaspora dhe qytetarë që kanë deklaruar qëndrim jashtë vendi më shumë se tre muaj, vlen vetëm për zgjedhjet e parakohshme, më pas ekstrakti do të shkrihet në Listën e vetme zgjedhore.
SHPËTIM NUREDINI
