Maqedoni

PPD takon banorët e rrethit të Tetovës

07.04.2014 18:15

Karvani i listës së PPD-së i udhëhequr nga bartësi i listës, Muhamed Halili, dje vazhdoi rrugëtimin e vet nëpër fshatrat e Malit të Thatë...

Karvani i listës së PPD-së i udhëhequr nga bartësi i listës, Muhamed Halili, dje vazhdoi rrugëtimin e vet nëpër fshatrat e Malit të Thatë. Para qytetarëve kjo parti shpalosi platformën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Bartësi i listës, Muhamed Halili, duke e shpalosur platformën e PPD-së, theksoi se do të angazhohen në lëmin e ngritjes së cilësisë, kushteve të mësimdhënies dhe profilizimit të arsimit sipas kërkesave të tregut dhe standardeve evropiane. 

Duke folur për zonën e lirë në Tetovë, Halili theksoi se do ta anulojnë karakterin privat të kësaj zone dhe do ta shndërrojnë në zonë publike, e cila do të jetë në shërbim të investitorëve vendas dhe të huaj, në dobi të banorëve të kësaj ane. Bartësi i listës, Muhamed Halili, në fshatin Gurgurnicë  të Tetovës, theksoi se ky teren është shumë i përshtatshëm për investime në degën e blegtorisë, ashtu që do të angazhohet të bëjë ndarjen e drejtë të subvencioneve. 

Sipas Halilit, partitë ekzistuese që deri tani kanë participuar në qeveri, nuk kanë shprehur gatishmëri dhe interesim ndaj këtyre vendeve dhe banorëve të kësaj ane dhe janë sjellë në mënyrë diskriminuese ndaj tyre, duke lejuar ndarjen e padrejtë të investimeve që bëhen në pjesë të tjera të Maqedonisë. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)