Maqedoni
21 viktima të konfirmuara, nesër ditë zie, shpallet gjendje e jashtëzakonshme
07.08.2016 17:53
Moti i keq me shi të rrëmbyeshëm që përfshiu kryeqytetin ishte fatal për 21 banorë të lagjeve Singeliç, Haraçinë, Stajkovc dhe Smillkovë...

20 kufoma janë identifikuar ndërsa në rrjedhë është edhe identifikimi I kufomës së 21-të. MPB raporton se me tërheqjen e ujit ekipet po hasin në viktima të tjera. Më keq e pësoi lagja Hasanbeg. Sipas të dhënave zyrtare rreth 100 qytetarë të lënduar kanë kërkuar ndihmë mjeksore në spitalet e vendit.
“Deri në orën 15, janë gjetur 21 persona të vdekur, prej të cilëve janë identifikuar 20 persona dhe kufomat u janë dorëzuar familjeve, ndërkaq për një person ende po bëhet përcaktimi i identitetit”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
Sipas Këshillit drejtues për menaxhim me kriza të gjitha institucionet janë në terren për të ndihmuar banorët e lagjeve të dëmtuara nga rrebeshi. Raportohet se janë evakuuar mbi 1000 persona në rrezik.
“Fatkeqësia deri tani ka marrë 17 viktima, të konstatuara. Para fillimit të konferencës morëm informatë për tre të tjerë, që dmth ky numër mund të rritet në 20. Shpresojmë se nuk do të rritet më shumë”, tha Nikolla Todorov, ministër i shëndetësisë.
“Bëmë çmos që të minimizohen këto dëme. Edhe një herë shpreh ngushëllimet më të sinqerta deri te familjarët dhe garatojmë se në çdo moment do të jemi atje”, tha Driton Kuçi, ministër i ekonomisë
“Ne mbrëmë dërguam 200 pjestarë të forcave tona, dhe edhe 200 do të dërgojmë në orët në vazhdim për të shpërndarë ndihma dhe për të sanuar dëmet”, tha Bekim Maksuti – zv ministër i mbrojtjes.
Në terren janë përfaqësuesit e MPB-së, njësitet speciale, përfaqësuesit e ARM-së, komunat, Qyteti i Shkupit, ndihma e shpejtë dhe zjarrfikësit në përpjekje për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë. MPB dhe Armata vazhdojnë të kërkojnë tërë terrenin me mbështetje të helikopterëve për të gjetur nëse ka persona të ngujuar.
Qyteti i Shkupit ndërkohë mori vendit të dëmshpërblejë me nga 3 mijë euro për viktimë, familjarët e viktimave nga rrebeshi i mbrëmshëm në Shkup. Edhe Komuna Gazi Babë do të dëmshpërblej familjet e viktimave me nga 100 mijë denarë.
SHPËTIM NUREDINI
