Maqedoni
VMRO-DPMNE mbajti tubim në Tetovë
07.04.2014 18:22
Zgjidhje për një numër të madh problemesh, ndërtimi i rrugëve, hekurudha dhe ndërhyrje të tjera, gjithsej 2.046 projekte të cilat populli i Maqedonisë...

Zgjidhje për një numër të madh problemesh, ndërtimi i rrugëve, hekurudha dhe ndërhyrje të tjera, gjithsej 2.046 projekte të cilat populli i Maqedonisë me të vërtetë do t'i ndjejë në katër vitet në vijim me qëllim të përparimit, jetës më të mirë, ekonomisë më të fuqishme dhe hapjes së vendeve të reja të punës, ofron programi zgjedhor i VMRO-DPMNE-së. Këtë e premtoi dje gjatë tubimit në Tetovë kryetari i partisë, Nikolla Gruevski.
“Na nevojitet fitimi i kandidatit tonë, Gjorge Ivanov-it, që mos të kemi pengesa gjatë rrugës sonë, që mos të kemi demagogji, intriga dhe manipulime, se si VMRO-ja nuk mund të plotësojë atë që e ka premtuar. Për këtë qëllim ju ftoj që në mënyrë masovike edhe më 13 edhe më 27 prill të dalim dhe ta përkrahim Gjorge Ivanov-in dhe të jepet mbështetje e fuqishme për të fituar më se paku 62 deputet VMRO-DPMNE-ja. Kjo qeveri tashmë përfitoi përvojë që do ta materializojë në projekte të reja në të gjitha sferat në katër vitet në vijim, siç është furnizimi i 300.000 tablet-kompjuterëve për ndërrim me ato ekzistuesit në shkolla”, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
“Në rast se e marr mbështetjen tuaj përsëri, do të vazhdoj ta mbroj interesin shtetëror në Republikën e Maqedonisë. Për mua Maqedonia është një dhe e vetme, jam kryetar i të gjithë qytetarëve. Ne e ruajmë modelin e Maqedonisë për bashkëjetesë dhe kjo është një traditë maqedonase që na kanë trashëguar paraardhësit tanë dhe këtë duhet ta ruajmë për pasardhësit tanë”, u shpreh kandidati për president nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov.
Mes tjerash, Gruevski paralajmëroi shndërrim të qendrës dimërore për skijim “Kodra e Diellit” në një ndër rajonet më të mira përmes studimit tashmë të përpunuar dhe master-planit, i cili parasheh investime të shtetit edhe nga koncesionerët potencial. Gruevski paralajmëroi edhe hyrjen e 30 kompanive të reja, të cilat duhet të sigurojnë 10.000 vende të reja të punës.
Në këtë tubim janë prezantuar edhe kandidatët për deputet në zgjedhjet parlamentare të njësisë zgjedhore numër 6, ndërsa porosia e tyre është se ka ardhur koha që t’i mbështesim, sepse është koha e duhur për të na dhënë besimin për arsye se me punë, përkushtim dhe përgjegjësi do të punojmë në realizimin e qëllimeve tona kombëtare. (Besim Abdullai, TVM2)
