Maqedoni
PDSH vazhdoi fushatën në Tearcë
07.04.2014 18:26
Pranova të jem kandidat, sepse shqiptarët dita-ditës po bëhen faktor politik dhe nëse unë bëhem kryetar shteti do të punohet ndryshe...

Pranova të jem kandidat, sepse shqiptarët dita-ditës po bëhen faktor politik dhe nëse unë bëhem kryetar shteti do të punohet ndryshe, do të zgjidhet çështja e emrit dhe do të debllokohet rruga drejt BE-së dhe NATO-s. Kështu u shpreh në tubimin e mbrëmshëm para banorëve të Tearcës kandidati për president, Iljaz Halimi, i propozuar nga PDSH.
Halimi para banorëve të Tearcës u zotua se nëse me 13 prill qytetarët e japin votën e tyre për të, ai do të jetë një president i të gjithëve dhe do të punojë në të mirë të të gjithëve. Për tu arritur realizimi i programit që ofron kandidatura e PDSH-së, kërkoj mbështetjen tuaj, mbështetjen e shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve tjerë që mendojnë se unë mund t’i përfaqësoj në mënyrë të denjë, tha Halimi para banorëve të Tearcës, duke shtuar se mobilizimi i të gjithëve do të kontribuojë që vota e tyre të ndikojë në ndryshimin e situatës së vështirë ekonomike në vend, si dhe në krijimin e kushteve për një të ardhme më të mirë.
“Jam shumë krenar për përkrahjen e fuqishme që më jepni mua dhe Partisë Demokratike Shqiptare, si parti e vetme shqiptare në Maqedoni e cila nuk ka lakuar nga rruga e drejtë kombëtare. Mbështetja juaj për mua është dëshmi e një serioziteti të madh që po e manifestojnë shqiptarët në këto zgjedhje presidenciale. Ky seriozitet dita-ditës po shtohet, se në këto zgjedhje nga katër kandidat për kryetar shteti vetëm un jam shqiptar. Unë pranova të jem kandidat shteti me bindje të plotë se shqiptarët do të faktorizohen edhe më shumë dhe se pa ta nuk mund të vendoset as edhe kryetari i shtetit. Luftën politike për kryetar shteti ne do ta vazhdojmë se edhe ne kemi hise në këtë shtet, qëllimi është që edhe nëpërmjet postit të kryetarit të shtetit të ndihmohen shqiptarët, por edhe të tjerët. Mundësitë ekzistojnë, por vetëm duhet të më jepet rasti, unë nëse arrij të bëhem kryetar shteti do ta praktikoj një formë tjetër të udhëheqjes. Parësore do të jetë zgjidhja e problemit me emrin dhe debllokimi i proceseve eurointegruese, angazhimi për një politikë të fqinjësisë së mirë me shtete për rreth që investimet e investitorëve të huaj të bëhen edhe në rajonet e banuara me shqiptar”, deklaroi kandidati për president nga PDSH, Iljaz Halimi.
Kandidati për president i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi, u përqëndrua edhe në angazhimin e tij në sferën e përmirësimit të gjendjes ekonomike në vend. Ai u zotua se do të punojë në zhvillimin ekonomik të domosdoshëm, veçmas për viset e pazhvilluara dhe të lëna pas dore, do të angazhohet për investime të barabarta në të gjitha rajonet dhe qytetet, fuqishëm do tu kundërvihet tendencave për favorizime ekonomike në baza etnike.
Halimi nënvizoi se qytetarët e të gjitha komuniteteve ballafaqohen me probleme të shumta dhe se nëse ai me 13 prill merr mbështetjen e qytetarëve, do t’i shfrytëzojë kompetencat dhe ingerencat e tij, për tu dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë, si dhe për të zgjidhur dhe tejkaluar vështirësitë me të cilat përballen për çdo ditë qytetarët e Maqedonisë. Ndërkohë lideri i PDSH-së, Mendu Thaçi, nga Tearca e Tetovës dërgoi porosi deri te lideri i VMRO- DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
“Tani do të keni përballë ish-luanët dhe duhet të lëshoni pe për kërkesat e shqiptarëve. Ne nuk jemi të pesë anshëm e as të dyanshëm dhe e dimë se çka flasim dhe çka kërkojmë, ne jemi të njëanshëm tek mileti, tek gjuha, tek feja, tek historia dhe tek kultura”, deklaroi kryetari i PDSH-së, Thaçi, duke iu drejtuar Nikolla Gruevskit.
Ai po ashtu foli mbi çështjen e integrimit të vendit në BE dhe NATO dhe me këtë rast kërkoi nga qytetarët e vendit që me 13 prill të votojnë kandidatin e PDSH-së, sepse kjo votë do t’i zgjidh hallet e qytetarëve të vendit.
“Ky vullnet politik i fort që jepet për profesor Iljazin, më ndihmon mua dhe drejtuesit e partisë që më lehtë t’i bindim faktorët vendimtar, siç janë perëndimorët SHBA-të, NATO dhe BE-ja, që të na ndihmojnë t’i zgjidhim hallet tona”, tha lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Ndërkohë edhe sot nga selia e Partisë Demokratike Shqiptare dolën akuza për korrupsion të Bashkimit Demokratik për Integrim.
“Sot po zbardhim edhe një dokument me të cilin hedhim dritë mbi mënyrën se si BDI shfrytëzon paratë e popullit për qëllime të fushatës elektorale. Nëse pyetni se përse komunat shqiptare nuk bëjnë as edhe të vetmin investim në interes të qytetarëve, përgjigjen e keni këtu. Këtu me të zeza në të bardhë Artan Grubi ju shkruan kryetarëve të komunave dhe urdhëron të paguajnë faturat e harxhimeve për nevojat partiake të fushatës elektorale”, theksoi Muhamed Thaçi nga PDSH.
Partia Demokratike Shqiptare programin e kandidatit për president sot do ta promovojë në Saraj dhe në lagjen Teteks në Tetovë. (Sanije Kasami, TVM2)
