Maqedoni
BDI: Arritjet në kulturë të gjithanshme
07.04.2014 18:34
Nga Bashkimi Demokratike për Integrim, vlerësojnë se arritjet e BDI-së në sferën e kulturës janë të gjithanshme...

Nga Bashkimi Demokratike për Integrim, vlerësojnë se arritjet e BDI-së në sferën e kulturës janë të gjithanshme. Një segment për të cilin është punuar me kujdes dhe gjithnjë në bashkëpunim me njerëzit dhe me institucionet gjegjëse, tha Muhamet Hoxha nga BDI.
“Ndërtimi i sheshit “Skënderbe” në Shkup, përfundimi i fazës së parë, fillimi i ndërtimit të fazës së dytë, projekt ky që do të kapë vlerën totale mbi 10 milion euro. Projekti që ka nisur tani për rikonstruimin e tërësishëm të teatrit shqiptar, projekt me vlerë prej 8 milion euro. Muzeu në kala të Shkupit, shtëpia “Ilirie antike” dhe kulla “Osmani”, vlera totale e këtij projekti është 110 milion denarë. Projekti që pret nisjen e realizimit për ndërtimin e objektit të ri të teatrit dhe bibliotekës së Tetovës, për të cilën janë gjetur para nga mjetet e buxhetit për fillimin e fazës së parë. Investime për përmirësimin e kushteve të qendrës së kulturës në Tetovë, qendrës së kulturës në Gostivar, qendrës së kulturës në Dibër dhe muzeut të alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir”, deklaroi Muhamet Hoxha nga BDI.
Gjatë qeverisjes së fundit 3 vjeçare tha Hoxha, gjithashtu kemi qenë dëshmitarë se mjafton vullneti dhe qasja serioze e institucioneve që drejtojnë për organizim të ngjarjeve të shumta kulturore. Me mbështetje institucionale, u organizua në Dibër teatri shqiptar, një bashkëpunim i teatrit të Shkupit me atë të Prishtinës, Tiranës dhe qyteteve tjera shqiptare.
“Përmes programit vjetor të Ministrisë së Kulturës, kemi mundësuar botimin e mbi 500 titujve në gjuhën shqipe, në të gjitha lëmenjtë”, tha Hoxha.
Njëherit Hoxha tha se kjo nuk do të mjaftonte sikur sot pas tre vitesh të mos kishim një bilanc që hedh poshtë të gjitha pretendimet e tjera.
“Duam të vëmë në dukje investimet kapitale për ndërtimin e objekteve të reja, por dhe përmirësimin e kushteve të objekteve ekzistuese, në mbështetje të kulturës. Në mars të vitit 2013 u nënshkrua marrëveshje me Republikën e Kosovës në bashkëpunim me sferën e kulturës. Ndërsa më 22 nëntor në Manastir janë dakorduar së bashku me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë se gjatë këtij viti të nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi edhe me Republikën e Shqipërisë të Tiranës zyrtare. Puna jonë nuk përfundon me kaq, sepse ne jemi kujdesur të rrisim në Ministrinë e Kulturës përfaqësimin e shqiptarëve. Me punësimet e nëpunësve të ri shqiptarë, ne kemi rritur në 40 % përfaqësimin në këtë institucion”, ka nënvizuar Hoxha. (Gyltene Sinani, TVM2)
