Maqedoni

Identifikohet kufoma e 21-të, Maqedonia në zi për viktimat e përmbytjeve

08.08.2016 16:07

Maqedonia është në zi në kujtim të viktimave të përmbytjeve katastrofike të dy netëve më parë...

Flamujtë u ulën në gjysëmshtizë në respekt të atyre që humbën jetën nga zemërimi I natyrës. Bilanci zyrtar i viktimave mbetet i njëjtë, 21 të vdekur.

Sot u identifikua edhe viktima e fundit, bëhet fjalë për fëmijën Endrit Sinanin. Ai ishte vetëm 6 vjec kur jeta ju këput në mes nga përmbytjet.

Edhe nëna e tij Zemrije Sinani, humbi jetën gjatë vërshimeve.  Ekipet e MPB-së janë duke kontrolluar vendbanimet pas tërheqjes së ujit dhe kërkimet janë përqëndruar në bodrumet e shtëpive të përmbytura.  

MPB nuk përjashton mundësinë e rritjes së numrit të të vdekurve, pas përfundimit të kontrollit të detajuar të terrenit.

Në Hasanbeg ende po kërkohet për një foshnjë 15 muajshe të zhdukur natën mes të shtunës dhe të dielës.

Është vajza e Furkan Fejzullahut, një prej viktimave tashmë të identifikuara.

Në Shkup ëshë hapur edhe Libri i Zisë. Përmbytjet lanë pas vetes dhimbje dhe shkatërrim.

Viktima më e re ishte vetëm 2 vjec, më e moshuara 83. Më shumë viktima janë nga Hasanbegu e Smillkovci por mes viktimave ka edhe nga Tetova, Kumanova dhe Kriva Pallanka, të cilët moti i keq e zuri në qarkoren e Shkupit, prej ku nuk dolën më gjallë.