Maqedoni

RDK promovoi kandidatët në Kumanovë

07.04.2014 18:29

Rilindja Demokratike Kombëtare, konventën zgjedhore e mbajti në Kumanovë, ku promovoi bartësit e listave...

Rilindja Demokratike Kombëtare, konventën zgjedhore e mbajti në Kumanovë, ku promovoi bartësit e listave, kandidatët për deputet dhe ofertën zgjedhore. Kreu i kësaj partie, Rufi Osmani, para anëtarëve dhe simpatizuesve të RDK-së, tha se programi i partisë së tij ka për bazë programin e rilindasve. Sipas tij, një program kryekëput kombëtar, të cilin mund ta zbatojnë kandidatët për deputet të kësaj partie.
 
Një ndër çështjet e para me të cilat do të merret RDK është kthimi i cenzusit për zgjedhjen e presidentit nga 40 në 50%, ndryshimi i Ligjit për përdorimin e flamurit dhe kthimin e përmasave të flamurit shqiptar, si dhe avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe.  
 
“Jam këtu t’u vërtetoj se ne kemi program, mbi të gjitha ne kemi njerëz të cilët kanë dije, guxim, vendosmëri, që në tavolinën e bisedimeve të marrin hisen financiare, ekonomike dhe kombëtare të shqiptarëve dhe ta bëjnë ofertë për Maqedoni shqiptare”, deklaroi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.
 
Osmani shprehu keqardhje që dy partitë më të mëdha shqiptare BDI dhe PDSH refuzuan nismën e kësaj partie për një kandidat konsensual shqiptar për president dhe nismën për një listë të përbashkët për deputet shqiptar. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të tregohej fuqia politike e shqiptarëve të Maqedonisë.
 
Ndërkaq bartësi i listës së kësaj partie në njësinë zgjedhore numër dy, Xhezair Shaqiri, tha se do të veprojë për unifikimin e faktorit shqiptar kundër projekteve anti-shqiptare.  
 
“Ne do të merremi me VMRO-DPMNE-në dhe të gjithë anti-shqiptarët”, tha kryesuesi i listës së njësisë zgjedhore numër dy nga RDK, Xhezair Shaqiri.
 
RDK garon në pesë njësi zgjedhore. Përkatësisht në njësinë zgjedhore numër 1,2,5,6 dhe 7. Partia e Osmanit vazhdon fushatën me moton:” Është koha“, ndërkaq sipas shortit, në fletën e votimit mban numrin rendor 6. 
 
Sa i përket zgjedhjeve presidenciale, RDK nuk përkrah bojkotin e zgjedhjeve presidenciale dhe ftoi simpatizuesit që vendimin ta marrin të pavarur sipas bindjes individuale, që në rrethin e parë të zgjedhjeve. (Shpëtim Nuredini, TVM2)