DITA E ROMËVE

Dita ndërkombëtare e romëve

08.04.2014 11:34

Dita ndërkombëtare e romëve, shtetet në BE nuk sigurojnë mbrojtje të mjaftueshme për romët…

Në Maqedoni dhe në botë sot shënohet 8 Prilli, Dita ndërkombëtare e romëve, popull me origjinë indoevropiane nga rajoni i Penxhabit i cili nuk ka shtet amë dhe është i shpërndarë kudo në botë.

Në këtë datë në vitin 1971 në Londër filloi Kongresi i parë i romëve i cili zgjati deri më 11 prill. Me këtë rast Organizata e kombeve të bashkuara e shpalli për Ditë botërore të romëve.

Në botë janë 12 milionë romë, edhe pse sipas disa pohimeve ky numër është vetëm për Evropën. Ndodhen në të gjitha shtetet evropiane si dhe në Amerikë. Më së shumti janë zhvendosur në Turqi, rreth pesë milionë më pas pasojnë Rumania dhe Spanja me nga 1,5 milionë Hungaria me një milion, Bullgaria me 700.000...

Në Maqedoni romët janë një prej grupeve etnike pakicë. Sipas regjistrimit në vitin 2002, në Maqedoni jetojnë rreth 53.879 romë apo 2,66 për qind e popullatës së përgjithshme. Komuna e Shuto Orizares është komuna e vetme në botë ku shumicë janë romët, ndërsa njëherësh edhe komuna e vetme në botë ku gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase është edhe gjuha rome. Gjithashtu, me Kushtetutën e vitit 2001, romët në Republikën e Maqedonisë njihen si popull.

Romët kryesisht janë të vendosur në qytete madje 95 për qind e romëve të Maqedonisë jetojnë në qytete.

Ardhjet e para të romëve në territorin e Maqedonisë janë vërejtur në shekullin 14.

Për nga religjioni shumica e madhe e romëve janë myslimanë, por ekziston një numër i vogël i romëve me besim të krishterë, të cilët njihen me emrin masarmangë dhe jetojnë në disa qytete të Maqedonisë Lindore dhe Juglindore.

Romët gjithnjë e më shpesh po bëhen viktima të dhunës në Evropë, por shtetet nuk po e marrin seriozisht atë problem, ceket në raportin e Amnesti Interneshënëll, të publikuar me rastin e Ditës së sotme ndërkombëtare të romëve.

Shumë romë në Evropë, numri i të cilëve është ndërmjet dhjetë dhe 12 milionë, janë të ekspozuar ndaj rrezikut të madh nga dhuna raciste, shkelja e të drejtave të njeriut dhe diskriminimi", thekson AI, duke shtuar se ata nuk kanë qasje drejt shërbimeve të domosdoshme dhe janë të margjinalizuar.

-Autoritetet nuk u sigurojnë mbrojtje romëve, as garanci se veprat kriminele kundër tyre do të hetohen deri në fund, thekson AI. Sipas organizatës, deri më tani janë hetuar tre raste të maltretimit të romëve, nxitur nga urrejtzja dhe atë në tre shtete - Çeki, Francë dhe Greqi.

Policia në Francë është akuzuar se e ka maltretuar popullatën rome me shpërndarje të shpeshtë të kampeve të tyre. Në vitin 2013 janë shpërndarë 156 kampe të tilla, në të cilat kanë jetuar rreth 20 mijë persona. Në Çeki, grupe ekstreme djathtiste, në vitin 2013 organizuan protesta antirome, të cilat nuk u dënuan nga autoritetet, përkujton organizata.

AI e akuzon edhe Greqinë se është e përzier në sulmet me gurë dhe kokteje molotovi ndaj bashkësisë rome në Etoliko në janar të vitit 2013.