Ahmeti dhe Thaçi takojnë Kupçan
SHBA kërkon zbatimin e reformave, Ahmeti: Kriza zgjidhet me zgjedhje, Thaçi: S’ka vullnet për zgjedhje brenda vitit...

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe ai i PDSH-së Mendu Thaçi janë pritur në ambasadën e SHBA-ve në Shkup nga Drejtori për Çështjet Evropiane në Keshillin e Sigurisë Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, Çarls Kupçan.
Ahmeti dhe Çarls Kupçan kanë diskutuar situatën në Maqedoni, zhvillimet në rajon dhe patjetërsueshmërinë e integrimit EuroAtlantik.
“Kreu i BDI-së njoftoi Drejtorin Kupçan mbi zhvillimet e fundit politike në Maqedoni si dhe angazhimin e BDI-së për rikthim të paqës, stabilitetit, sigurisë si dhe perspektivës së integrimit EuroAtlantik si alterantivë e vetme për vendin dhe rajonin. Kriza në vend përmbyllet vetëm nëpërmjet të mbajtjes së zgjedhjeve gjithëpërfshjrëse, të besueshme dhe demokratike, prandaj dhe z. Ahmeti beson që vlerësimi në fund të muajit gusht në lidhje me përmbushjen e kushteve për mbajtje të zgjedhjeve do të jetë pozitiv.”- thuhet në kumtesën e BDI-së.
Ndërkaq, kreu i PDSh-së Menduh Thaçi e cilëson si lajm të mirë për shqiptarët dhe Maqedoninë në përgjithësi, interesimin që SHBA-të tregojnë për zhvillimet në vendin tonë dhe procesin e intergimit euroaltlkantik.
“Zyrtari i lartë i presidentit Obama, shefi i komisionit për siguri nacionale, shprehu interesim që ne ta përshpejtojmë procesin e reformave dhe sa më shpejtë të trokasim në dyert e NATO-s. Pozicioni i PDSh-së ngel edhe më tej i tillë, fuqizimi i shqiptarëve në Maqedoni, në vendimmarrjet institucionale është fuqizim i dorës së perëndimit brenda Maqedonisë.” - tha kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Sa i takon zbatimit të reformave të domosdoshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, Thaçi është pesimist se një gjë e tillë do të ndodh brenda këtij viti. Sipas tij, përveç lëshimeve teknike, mungon edhe vullneti politik për gjë të tillë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
