Maqedoni
VMRO-DPMNE mbajti tubim në Dibër
08.04.2014 18:29
Banorët e Dibrës në tubimin e mbrëmshëm të VMRO-DPMNE-së, dhanë përkrahje maksimale për kandidatin për president, Gjorge Ivanov...

Banorët e Dibrës në tubimin e mbrëmshëm të VMRO-DPMNE-së, dhanë përkrahje maksimale për kandidatin për president, Gjorge Ivanov. Sipas kandidatit për kryetar të VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, gjatë pesë viteve të mandatit të tij shpeshherë ka vizituar Dibrën.
Kemi ardhur për festa të ndryshme për Pashkët dhe në muajin e Ramazanit për iftar. Kemi ardhur të shohim se si po përparoni dhe cilat janë sukseset tuaja. Ivanov potencoi se Dibra është e njohur për bashkëjetesë dhe kjo është traditë e paraardhësve tanë të cilën ne duhet ta ruajmë për brezat e rinj.
Tani kam ardhur këtu pas pesë vitesh t’ju them se jam i njëjti ai siç më keni njohur më parë, i ndershëm, punëtor dhe i sinqertë. Prandaj sërish kërkoj besimin tuaj që të jem kryetar për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Gjatë mandatit tim kam realizuar shumë takime me të shpërngulurit nga Maqedonia, të cilët kryesisht ishin nga Dibra.
Njerëzit pa marrë parasysh se a janë maqedonas, shqiptarë apo turq, çdoherë tregojnë interesim për vendlindjen dhe pyesin se si mund të ndihmojnë.
Ata do t’i shohim shumë më shpesh në të ardhmen. Në Dibër do të krijojmë kushte më të mira për jetesë, punësime për të rinj dhe arsimim cilësor që çdonjëri të ndjejë se Maqedonia po ndryshon. Ivanov potencoi se edhe në kushte të krizës më të madhe që kaploi vendin, kur punohet në ekip mund të ndryshohet Maqedonia për të mirë. Çdo gjë mund të ndryshohet, sepse ekonomia po shënon rritje. Gjithçka që kemi planifikuar në programin tonë është realizuar dhe për gjithçka kemi dhëne llogari.
“Tani me program të ri vij që të fitoj sërish besimin tuaj. Të jem zëri juaj, gjithçka çka ndjejnë qytetarët e Maqedonisë ta bart në vendet ku flitet për Maqedoninë, ku krijohet e ardhmja e Maqedonisë, Maqedonia në Evropë, por edhe Evropa në Maqedoni. Së shpejti do të punohet edhe për përmirësimin e infrastrukturës siç është kahja rrugore Kërçovë-Ohër, ku do të hapen shumë vende të reja të punës. Po ashtu po zhvillohen shumë projekte rajonale. Gjithkund në Maqedoni po ndërtohen fabrika dhe po hapen vende të reja të punës. Kjo është fytyra e re e Maqedonisë”, deklaroi kandidati për kryetar i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov.
“I rekomandoj Zaevit nëse është i sigurt se do të bëhet kryeministër le të japë dorëheqje që tani nga funksioni i kryetarit të komunës. E shoh Zaevin se si është shpallur kryeministër. Por që të bëhesh kryeministër duhet populli të të votojë. Nuk është e mjaftueshme që Radmilla dhe Stevo të duartrokasin në tubime. Duhet që populli të votojë për ty. Ju e nënvlerësoni popullin, andaj po humbni zgjedhjet. Kështu do të jetë edhe kësaj radhe”, theksoi kryeministri, Nikolla Gruevski.
VMRO-DPMNE bëri të ditur se programi i partisë përmban 2046 projekte dhe të gjitha janë të parapara me buxhetin që do të realizohet katër vitet e ardhshme. Ne punojmë me përkushtim, andaj dhe në mënyrë të tillë do të vazhdojmë, u tha në tubimin e VMRO-DPMNE-së në Dibër. (Flutura Latifi, TVM2)
