Maqedoni

RDK u prezantua në Debresh

08.04.2014 18:32

Rilindja Demokratike Kombëtare, mbrëmë në Debresh të Gostivarit ka bërë hapjen e shtabit partiak, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i RDK-së, Rufi Osmani...

Rilindja Demokratike Kombëtare, mbrëmë në Debresh të Gostivarit ka bërë hapjen e shtabit partiak, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, i shoqëruar nga struktura partiake. Kryetari i RDK-së në Debresh porositi se rilindasit e RDK-së do t’i godasin direkt në zemër deputetet e krimit politike në parlamentin e Shkupit në mandatin e radhës, që të kthejnë shpresën e humbur të shqiptarëve dhe të ndërpresin shpërbërjen e indit shqiptar në Maqedoni.
 
“Gjithmonë kemi qenë në kartën e unitetit dhe bashkimit, bashkim me vepra, jo bashkim me gënjeshtra, jo me pallavra, jo me rrena. Kurrë nuk kemi gjetur përkrahje, mbështetje nga dy konkurrentët tanë”, deklaroi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.
 
Kandidati për deputet, Izet Zeqiri, përmes numrave argumentoi dështimet e kësaj qeverie në planin ekonomik dhe politik.
 
“Në vitin 2003-2004 buxheti ka qenë 800 milion, 900 milion apo 1 miliard euro, në vitin 2005 ka qenë 1,6 miliard euro, kurse në vitin 2014 është 3 miliard euro. Ja ku janë paratë e qytetarëve, shteti, qeveria nëpërmjet taksave dhe tatimeve”, u shpreh kandidati për deputet i RDK-së, Izet Zeqiri.
 
Në këtë vendbanim u prezantuan edhe kandidatët tjerë për deputet, ndërsa në emër të tyre foli Vejsel Mehmedi, i cili tha se populli duhet të jetë i lirë të flasë atë që e mendon vetë dhe jo të ketë frikë. (Afrim Tanallari, TVM2)