Maqedoni
PDSH vazhdoi fushatën në Saraj
08.04.2014 18:34
Partia Demokratike Shqiptare, tubimin e radhës e realizoi në Saraj të Shkupit, ku para të pranishmëve promovoi kandidatin e saj presidencial...

Partia Demokratike Shqiptare, tubimin e radhës e realizoi në Saraj të Shkupit, ku para të pranishmëve promovoi kandidatin e saj presidencial, si dhe kandidatët për deputet që garojnë në këtë zonë. Kandidati për president nga kjo parti, Iljaz Halimi, para të pranishmëve tha se mbështetja që pranojnë nga qytetarët shqiptarë gjithandej tubimeve të organizuara, e motivon edhe më shumë për të vazhduar deri në fund betejën politike me oponentët e tij politik që garojnë për postin e presidentit të shtetit.
Ai njëherësh theksoi se nëse i besohet funksioni i presidentit të shtetit, do t’ju ndihmon shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të vendit, duke potencuar se do të jetë shtyllë e drejtësisë dhe barazisë qytetare, bazuar në kushtetutën dhe ligjin. Çdo kompetencë timen do ta shfrytëzoj në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të vendit tonë, çdoherë do të jem i gatshëm për të sjellë investime të huaja në të gjitha zonat, veçmas në ato rurale dhe të pazhvilluara. Do të angazhohem për fqinjësi të mirë dhe zgjidhje të kontesteve politike me Greqinë dhe Bullgarinë, me qëllim të hapjes së rrugës euroatlantike, tha mes tjerash kandidati për president, Iljaz Halimi.
“Ky tubim flet për mbështetjen tuaj të fuqishme ndaj Partisë Demokratike Shqiptare. Unë me ju jam krenar, kështu më jepni vullnet për ta vazhduar betejën tonë politike, drejt një fitore të madhe për PDSH-në, kjo fitore do të nisë me 13 prill, kurse do të përfundon me 27 prill. Kur unë dhe PDSH me votat tuaja do të arrijmë në një marrëveshje të re historike, kjo marrëveshje është e mundimshme. Nëse unë si kandidat i vetëm shqiptar për president hyj në raundin e dytë zgjedhor, ky është qëllimi që duam ta arrijmë dhe jam i sigurt që kjo do të ndodhë”, ka thënë kandidati për president, Iljaz Halimi.
Kandidatët për deputet të cilët garojnë në njësinë zgjedhore numër një, para të pranishmëve në këtë tubim u shprehën se Saraji reformat më të mëdha në të gjitha sferat i ka përjetuar në kohën e qeverisjes së PDSH-së. Nga PDSH-ja njëherit thonë se edhe përkundër thirrjeve për bojkot të zgjedhjeve presidenciale nga qytetarët shqiptarë nga oponenti i tyre politik, për të mos votuar kandidatin nga radhët e PDSH-së, apelojnë të gjithë qytetarët shqiptarë që t’i sfidojnë çdo kushtëzim të mundshëm dhe t’ju bëjnë ballë çdo lloj sfide.
Oferta jonë kolektive është zgjidhja e problemeve kolektive, zgjidhje për ardhmërinë e fëmijëve tanë, ne kemi platformën tonë, kemi marrëveshjen tonë politike, me realizimin e së cilës do të përfundojnë brengat e shqiptarëve, kemi garanci dhe mbështetje të fortë nga faktori ndërkombëtar edhe nga Kosova dhe Shqipëria, deklaruan nga PDSH. Kandidatët të cilët morën fjalën në këtë tubim, njëherit akuzuan BDI-në për mosrealizim të projekteve të premtuara, si çerdhen, shkollën e mesme në Saraj, rrugën Arnaqi-Bojanë, rrugën Sfillare-Radushë, si dhe mospunësimin e të rinjve nga Saraji, premtime këto të cilat sipas PDSH-së mbeten të parealizuara nga BDI.
BDI është 10 vite në pushtet, Maqedonia ka miratuar 10 buxhete të shtetit të cilat janë 20 miliard euro, ndërsa ne vazhdojmë të jetojmë me rrugë me gropa, pa ujë të pijshëm, pa shkolla, pa ambulancë, pa universitet adekuat dhe ne duhet kësaj politike e cila gënjen, me 13 prill t’i themi lamtumirë, t’i themi lamtumirë BDI-së, theksuan nga PDSH. Ata njëherit theksuan se vota për Iljaz Halimin tregon orientimin e shqiptarëve të Maqedonisë, orientim ky i cili do të japë një porosi dhe do t’ju përgjigjet politikave të Nikolla Gruevskit.
Porosia e parë e cila do të jepet me këtë kandidaturë është porosi drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s, Unionit Evropian dhe SHBA-ve, se shqiptarët nuk pajtohen me politikën e deritanishme të Nikolla Gruvskit dhe Ali Ahmetitit. Porosia e dytë sipas zyrtarëve të PDSH-së do t’i përcillet drejtpërsëdrejti Gruevskit, që sipas tyre do t’i bëhet me dije Nikolla Gruevskit se koha e servilizmit të BDI-së ka kaluar dhe tani duhet t’i bëjë ballë politikës së palëkundur të PDSH-së. Nga PDSH po ashtu theksuan se fitorja e PDSH-së do t’ua ngrejë dinjitetin dhe krenarinë të gjithë shqiptarëve në të gjitha postet publike ku ata i ushtrojnë, duke mos lënë të nëpërkëmbet dinjiteti i shqiptarëve nga pala maqedonase.
Në këtë tubim, fjalim përshëndetës mbajti edhe përfaqësuesi i Forumit Rinor të PDSH-së, Mevlan Morina, i cili para të pranishmëve tha se PDSH-ja paraqet shpresë për të ardhmen e këtij vendi, për të ardhmen e gjeneratave të reja, duke hapur perspektivën e të rinjve shqiptarë me vizion të ri për hapje të punimeve të reja. (Zejxhane Osmani, TVM2)
