SHBA, zjarr në Kaliforni, evakuohen mijëra persona
Një zjarr masiv i shtyrë nga erërat e forta dhe temperatura mbi 37 gradë Celsius po dëmton rëndë komunitetet rurale jashtë Los Anxhelesit...

Një zjarr masiv i shtyrë nga erërat e forta dhe temperatura mbi 37 gradë Celsius po dëmton rëndë komunitetet rurale jashtë Los Anxhelesit, duke krijuar tornado zjarri e duke bërë të detyrueshëm evakuimin e më shumë se 80 000 njerëzve.
Zjarri shpërtheu rreth 100 km në lindje të Los Anxhelesit dhe me shpejtësi shkrumboi 9 000 hektarë tokë. Mediat amerikane raportojnë se ndërsa flakët i afroheshin rrezikshëm zonave të banuara, skena kaosi u panë mes njerëzve që mundoheshin t’ia mbathnin.
Guvernatori i Kalifornisë shpalli gjendjen e emergjencës në kontenë e San Bernardinos, ndërsa Kryqi i Kuq ka ngritur qendra pritjeje për të evakuuarit.
Autoritetet e Kalifornisë thanë se rreziku ndaj njerëzve dhe infrastrukturës është i qartë, prandaj është urdhëruar evakuimi i 34 mijë e 500 shtëpive dhe 82 mijë e 640 njerëzve.
Zjarri është ende jashtë kontrolli, pavarësisht përpjekjeve të 700 zjarrfikësave dhe dhjetra mjeteve tokësore e ajrore për ta ndalur.
Ky është zjarri më i fundit i sezonit të zjarreve në Kaliforni, që këtë vit janë tejet shkatërrimtare dhe të paparashikueshme.
Zjarret e fundit në Kaliforni kanë shkatërruar qindra shtëpi dhe i kanë kushtuar jetën 8 njerëzve, një ogur i errët pasi sezoni tradicional i zjarreve nis në vjeshtë.
Por vitet e fundit, thatësirat e tejzgjatura dhe temperaturat e larta kanë zgjatur sezonin e zjarreve në perëndim të SHBA-së.
Zjarret tashmë nisin më herët dhe zgjasin më shumë, ndërsa sezoni i tyre shtrihet nga qershori në tetor.
VLORA LATIFI TOPOJANI
