Maqedoni
BDI tuboi elektoratin në Studeniçan
08.04.2014 18:48
27 prilli le të jetë një ditë që do të shënohet në kapitujt e historisë së ndritur shqiptare, ndërsa 13 prilli është dhe le të mbetet ditë ters...

27 prilli le të jetë një ditë që do të shënohet në kapitujt e historisë së ndritur shqiptare, ndërsa 13 prilli është dhe le të mbetet ditë ters. Para qytetarëve është një ofertë politike e cila është treguar si ofertë më e mirë në qeverisjen e kaluar dhe ky program politik i BDI-së përmban 1080 projekte nga sfera të ndryshme, thanë para banorëve të Studeniçanit kandidatët për deputet të BDI-së.
“Më 13 prill do të jetë ditë ters, baksuz siç thonë, data 13 edhe baksuzi do t’i ndodhë atyre të tjerëve, nja tre maqedonas dhe një që thotë se është shqiptarë dhe nëpër debate flet maqedonisht, atyre më duket se do t’i ndodhë tersi jo të premten më 13, por të dielën më 13, prandaj dalim para jush me një program zgjedhor evropian i cili përmban 1080 projekte zhvillimore për të ardhmen evropiane të shqiptarëve të Maqedonisë. Ju ftojmë që të bashkangjiteni në këtë mision madhor për të realizuar të gjitha këto projekte të cilat kapin vlerën mbi 2.5 miliard euro..”, deklaroi bartësja e listës në njësinë zgjedhore nr. 1 nga BDI, Ermira Mehmeti.
BDI nuk kërkon votë për të hequr qafe askënd, por kërkon votë për t’i vazhduar projektet e filluara për një të nesërme më të mirë dhe kërkon votën e shqiptarëve të mos ketë ndarje mes etniteteve në vend, tha numri “një” i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili para banorëve të Karshiakës potencoi se pikërisht për këto arsye oponentët maqedonas dhe shqiptarë e shohin BDI-në si një bombë atomike.
“Dikush kërkon më shumë deputet për të mundur BDI-në, dikush do të më heq nga qafa për të hy në Qeveri dhe nëpër fotele, BDI nuk kërkon votë për të mundur, për të hequr qafe askënd. BDI kërkon përkrahjen e shqiptarëve për ditë më të mira, kërkon përkrahjen e shqiptarëve për të realizuar detyrat dhe obligimet që dalin si nevojë dhe domosdoshmëri e jetës së përditshme të qytetarëve. Arsim më të mirë, shëndetësi më të mirë, shërbime administrative më të mira, shërbime shtetërore dhe jo ndasi, jo ndarje të njerëzve dhe komuniteteve. Zoti na ka krijuar të gjithëve dhe të gjithë të jetojmë në hapësira që na takojnë dhe këto hapësira i takojnë Karshiakës dhe karshiakllive dhe nuk mund të vijë tjetër këtu të jetojë, sepse ju këtu jetoni....”, theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Takimet e BDI-së me banorët e Karshiakës vijuan edhe në Zelenikovë, Sopishtë dhe Moranë. (Rexhep Qamili, TVM2)
