Maqedoni

BDI prezantoi platformën e saj

08.04.2014 18:51

Rreth 1100 projekte në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, projekte për zhvillim rural dhe projekte për zhvillim ekonomik përmban platforma zgjedhore e BDI-së...

Rreth 1100 projekte në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, projekte për zhvillim rural dhe projekte për zhvillim ekonomik përmban platforma zgjedhore e BDI-së për mandatin 2014-2018, projekte që kapin vlerën prej rreth 2 miliard e 640 milion euro. Sekretari i Sekretariatit për Zhvillim Ekonomik i BDI-së, Fatmir Besimi, paraqiti platformën zgjedhore të BDI-së, e cila sipas tij është oferta më e mirë politike jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pasi aty trajtohen problemet reale dhe ofrohet zgjidhje konkrete. 
 
Platforma zgjedhore e BDI-së mbështetet në tre shtylla kryesore: marrëdhënie të mira ndëretnike, që nënkupton konsensus politik, përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe avancimin e politikave gjuhësore.
 
“Konsensusi politik është koncept të cilin BDI e promovon si vlerë që vjen nga Marrëveshja paqësore e Ohrit. Dhe konsensusi politik është edhe në vendimmarrje në të gjitha institucionet e shtetit, ashtu siç janë të definuar në Kushtetutën e Maqedonisë, në Parlamentin e RM-së, në Qeverinë e RM-së, në Presidencë, në Prokurori dhe në Gjyqësi dhe në të gjitha nivelet e tjera të pushtetit qëndror dhe lokal”, deklaroi Fatmir Besimi nga BDI.
 
Shtylla e dytë e platformës blu është zhvillimi dhe mirëqenia e bazuar në buxhet proporcional, zhvillimit të barabartë rajonal dhe ulje të papunësisë.
 
“Kur flasim për buxhet proporcional, ideja nuk është që vetëm sipas regjistrimit të fundit, vetëm 25% e mjeteve publike të shkojë në disa tema të caktuara, në projekte që janë me interes për shqiptarët ose në zona që janë të banuara kryesisht me shqiptarë. Ideja është që temat që janë me prioritet siç është arsimi dhe infrastruktura komunale, ku në periudhë të kaluar nuk është investuar dhe ku janë nevojat më të mëdha të qytetarëve, në ato zona pjesë të buxhetit do të ndahet edhe më tepër”, theksoi Besimi.
 
Në kërkesën për një mandat të ri katërvjeçar, BDI ofron 40 deri 60 mijë vende të reja pune, rritje të rrogës mesatare bruto nga 500 deri në 600 euro, rritje ekonomike e BPV 4-7% dhe investime të huaja nga 800 milion deri në 1.2 miliard euro. Nga investimet në infrastrukturë Korridori Tetë mbetet megaprojekti infrastrukturor për realizimin e të cilit do të angazhohet BDI. 
 
“Kjo është një nga megaprojektet e infrastrukturës rrugore. Gjithashtu në Korridorin Tetë autostrada pjesa Kërçovë-Linë, kufiri me Shqipërinë, gjegjësisht projekti rreth tetë milion euro do të financohet nga fondet evropiane, në tre vitet e ardhshme projekti themelor. Dhe në përfundim të kësaj do të vazhdohet në investim në realizim të projektit apo të hekurudhës Kërçovë-Linë. Gjithashtu aksi rrugor i ashtuquajtur Rruga e Arbërit do të ketë dy lidhje me Korridorin Tetë. Njëra është rikonstruimi i pjesës Mavrovë-Dibër dhe pjesa tjetër është rrugë e re nga vendi i quajtur Izvor apo burimi deri në Dibër, një pjesë e kësaj rruge është realizuar, do të vazhdojë edhe pjesa tjetër.”, shtoi Besimi.
 
Integrimi i brendshëm rajonal dhe evropian mbetet një ndër shtyllat kryesore të BDI-së dhe kusht për të realizuar me sukses të gjitha planet dhe projektet në dy shtyllat e para. Për BDI-në integrimet euroatlantike janë zgjidhja e vetme pa alternativë, prandaj vazhdon angazhimin pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që mund të kenë subjektet e tjera politike. 
 
“Është e natyrshme se jemi subjekte të ndryshme politike dhe kemi koncepte të ndryshme për temat dhe ne dalim me ofertën tonë të cilën mendojmë se do të kemi kapacitet politik dhe do të gjendet një mirëkuptim për tema të rëndësishme, që Maqedonia të ecë përpara. Ashtu siç thashë edhe këtu, shkruan se integrimi i vendit në NATO dhe BE nuk ka alternativë tjetër. Ajo është alternativë e vetme për një të ardhme më të mirë të RM-së”, tha Besimi.
 
Në kuadër të platformës zgjedhore, të shtypur në një dokument prej 400 faqe, BDI ka raportuar edhe projektet e realizuara në dy mandatat e njëpasnjëshme në pushtet. Në periudhën 2008-2013 në pushtet BDI ka realizuar 823 projekte me vlerë prej 503.3 milion euro. (Shpëtim Nuredini, TVM2)