Maqedoni

RDK mbajti tubim në forinë të Gostivarit

09.04.2014 18:29

Rilindja Demokratike Kombëtare, mbrëmë në fshatin Forinë të Gostivarit...

Rilindja Demokratike Kombëtare, mbrëmë në fshatin Forinë të Gostivarit, hapi shtabin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 27 prillit. 
 
Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani dhe bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 6, porositi rilindasit se duke votuar RDK-në votojnë dijen, nderin dhe perspektivën ekonomike të rinisë shqiptare. Ai me këtë rast numëroi dështimet e qeverisë së deritanishme në plan ekonomik dhe politik, duke akuzuar se të gjitha investimet janë bërë në Maqedoninë lindore, kështu duke anashkaluar vendbanimet shqiptare.
 
Momentalisht rinia shqiptare në Maqedoni nuk ka perspektivë dhe ata të vetmen rrugëdalje e shohin në shpërnguljen nga vendi. Nga kjo parti thanë se tani është koha që Maqedoninë ta udhëheq një frymë e re politike. Ata thanë se do të angazhohen të përmirësojnë situatën ekonomike, duke realizuar investime kapitale në vendet e banuara me shqiptarë. Interesi i gjithë shqiptarëve është në fokusin e RDK-së, u tha me këtë rast.
 
“Ne ofrojmë projektin tonë, i cili projekt në esencë është prezantuar nga deputeti i nderuar Izet Zeqiri në dy vite mandat, që e ka kuptimin që ne t’i marrim paratë tona nga buxheti i shtetit në bazë të pjesëmarrjes dhe numrin e popullsisë, neve na takojnë si investime kapitale së paku çdo vit nga 70 deri më 80 milion euro investime”, deklaroi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.
 
Osmani njëherit tha se gjatë katër viteve pushtet lokal në komunën e Gostivarit, janë realizuar investime të mëdha në të gjitha vendbanimet dhe fshatrat përreth. Ai me këtë rast rikujtoi se nuk janë pranuar ofertat e tij drejtuar partive të tjera shqiptare për  një kandidat për president, si dhe për listë të përbashkët të deputetëve. (Florije Kamberi, TVM2)