Reali me stil, befasohen Atletico Madrid e Inter
Reali i Madridit iu përgjigj Barcelonës duke fituar ndeshjen e parë në La Liga ndaj Real Sociedadit....

Në “Anoeta”, skuadra e Zinedine Zidane fitoi rezultatin 3-0, për të marrë 3 pikët e para në kampionatin spanjoll.
Reali e zhbllokoi rezultatin që në minutën e dytë me Gareth Bale, ndërkohë që i riu Asensio i çoi shifrat në 2-0. Në minutat e fundit shtesë, Bale e ndëshkoi sërish Sociedadin, duke shënuar edhe golin e tretë për “Los Blancos”.
Ndërkohë, Atletico Madrid nuk shkoi dot më shumë se barazimi 1-1 ndaj Alavesit. Në ndeshjen që u luajt në "Vicente Calderon", bardhekuqtë shënuan me 11-metërsh në minutën e 92, por goli i parë i Gameiro me Atleticon nuk pati vlerën e 3 pikëve pasi një minutë më vonë barazoi skuadra e ardhur nga kategoria e dytë.
Në Serinë A italiane, debutim i hidhur për Frank De Boer në pankinën e Interit. Skuadra zikaltër u mund në Verona nga Chievo me rezultatin 2-0.
Birsa ishte ai që i dhuroi këtë fitore Chievos pasi ishte autori i të dy golave, në minutat 49 dhe 81.
Bën befasinë edhe Pescara që ndali Napolin në barazimin 2-2. Skuadra e drejtuar nga Massimo Oddo mori avantazhin e dyfishtë në pjesën e parë me Benalin dhe Caprarin, por napoletanët u kundërpërgjigjën me golat e Dries Mertens.
