Sheshi Skënderbeu, Mexhiti: Kemi vonesa, por po i tejkalojmë

22.08.2016 15:40

Faza e dytë e punimeve në sheshin Skënderbeu në Shkup...

Faza e dytë e punimeve në sheshin Skënderbeu në Shkup pritet të përfundojë shpejt, edhe përkundër disa vonesave që janë shkaktuar deri tani.

Kështu premtoi kreu i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili vonesat e deritanishme në këtë fazë i arsyetoi me kompleksitetin e ndërtimeve që zhvillohen në një nga rrugët më të frekuentuara të Shkupit.

“Faza e dytë është në realizim e sipër. Ka qenë faza më e rëndë e realizimit, sepse aty gjendet rruga më e frekuentuar në Maqedoni. Meqë rruga lidh institucionet dhe Shkupin me aeroportin, për shkak të frekuencës puna shkon më ngadalë në këtë fazë, në funksion të sigurisë së qytetarëve. Kjo fazë po tejkalohet dhe faza tjetër do jetë fazë me intensitet të shtuar, gjë që nënkupton realizim brenda afateve të fazës së dytë të sheshit Skënderbeu me të gjitha elementet”,- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Këto komente Mexhiti i bëri gjatë prezantimit të veturave të reja elektronike me të cilat prej sot do të disponojë Komuna në Çairit.

“Është institucioni i parë në RM ku zëvendësohet i gjithë parku i automjeteve që kanë funksionuar deri më tani me energji tjera,  tani e tutje do të jenë vetura që do të funksionojnë me energji elektrike, të cilat janë tejet ekologjike dhe kontribuojnë drejtpërdrejtë për një Çair më të pastër, për një Shkup më të pastër”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

“Do të ndërrohet i gjithë parku automobilistik i Komunës së Çairit me vetura elektrike të cilat në këtë kohë të ngrohjes globale dhe të ndotjes së madhe të ambientit do të kontribuojnë në zvogëlimin e ndotjes”,- theksoi ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti.

Ameti apelon tek të gjitha institucionet tjera që të ndjekin shembullin e Komunës së Çairit. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)