Maqedoni
PDSH mbajti tubim në Tetovë
09.04.2014 18:37
PDSH ka vazhduar aktivitetet e saj parazgjedhore në qytetin e Tetovës. Në takimet me qytetarët e lagjes së Teqes dhe në shkollën “Migjeni”...

PDSH ka vazhduar aktivitetet e saj parazgjedhore në qytetin e Tetovës. Në takimet me qytetarët e lagjes së Teqes dhe në shkollën “Migjeni”, mbështetjen e qytetarëve e kanë kërkuar kandidati për president i kësaj partie, Iljaz Halimi, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe kandidatët për deputet të kësaj partie.
Në fjalimin e saj kandidatja për deputete, Sadije Iljazi, ka deklaruar se PDSH ofron kandidat për kryetar shteti njeri intelektual dhe me përvojë të gjatë politike dhe se PDSH do të jetë garanci për shqiptarët në Maqedoni. Iljazi ka nënvizuar se në dhjetë vitet e fundit shqiptarët janë dëshmitarë të një krize ekonomike, morale dhe sociale dhe shkaku kryesor i kësaj është injorimi i vazhdueshëm i shqiptarëve nga pushteti. Ajo ka shtuar se në vendbanimet shqiptare nuk bëhen investime dhe në mënyrë permanente ato anashkalohen edhe pse paguajnë tatime njëjtë si të tjerët në këtë shtet.
“PDSH asnjëherë nuk ka ndejtur duarkryq ndaj padrejtësive, por përkundrazi, gjithmonë ka qenë e zëshme për diskriminimin ndaj shqiptarëve. Pikërisht ky qëndrim i partisë sonë e bën të dallon atë nga partitë tjera shqiptare. Për t’i mënjanuar këto padrejtësi, PDSH si parti serioze ofron marrëveshjen politike, e cila është zgjidhja e vetme për problemet e shqiptarëve në këtë shtet, është zgjidhja e vetme për siguri, barazi dhe mirëqenie”, tha kandidatja për deputete nga PDSH, Sadije Iljazi.
Kandidatja për deputete e PDSH-së, Sadije Iljazi, ka ftuar në angazhimin e të gjithëve për dalje masovike në votime, pasi me dhënien e votës për PDSH-në më 13 dhe me 27 prill, qytetarët do t’i japin fund edhe degradimit të shqiptarëve në Maqedoni. Ndërsa kandidati për president, Iljaz Halimi, ka deklaruar se PDSH-ja pasi ka bërë analiza thelbësore, ka vendosur të dalë me kandidat presidencial, me qëllim që shqiptarët të mos llogariten si popull i paorganizuar. Halimi ka shtuar se nëse arrin të hyjë në rrethin e dytë, do të jetë një arritje e madhe për shqiptarët.
“Më 13 prill pres një numër të madh, masovitet të shqiptarëve, që do të dalin në zgjedhje, besoj se do të më mbështesin, andaj edhe jam i bindur që kështu do të arrij të kaloj në rrethin e dytë, ku do të garojë me njërin nga tre kandidatët tjerë. Kjo nëse bëhet do të jetë një arritje e madhe për ne si shqiptarë, do të kemi mundësi të faktorizohemi dhe ne të bëhemi vendimmarrës se kush do të bëhet kryetar shteti. Hapet mundësia që të lidhim edhe marrëveshje, unë do ta quaj historike, ku do të përshiheshte platforma e partisë, realizimi i së cilës do të mundëson avancimin e pozitës së shqiptarëve”, u shpreh kandidati për president i PDSH-së, Iljaz Halimi.
Ai ka shtuar se PDSH e ka kandiduar atë, që shqiptarët të dalin në mënyrë të organizuar në zgjedhje dhe të krenohen se kanë njeri me të cilin mund të kandidohen. Halimi po ashtu ka folur edhe për ata që flasin publikisht kundër kandidaturës së tij për president, ku ka parafrazuar Adem Demaçin. Halimi ka thënë se mendja e bacit Adem nuk punon ashtu siç duhet, sepse ai i ka mbushur 78 vite dhe ka harruar se çfarë ka folur para 14 viteve për Arben Xhaferrin, Menduh Thaçin dhe Iljaz Halimin, kur kanë festuar tre vjetorin e bashkimit të Partisë Popullore të Shqiptarëve dhe Partisë për Prosperitet Demokratik. Iljaz Halimi ka kërkuar që qytetarët mos të shqetësohen në të ardhmen nëqoftëse shohin dikë që shkruan kundër PDSH-së dhe apelon që mos të votojnë atë.
Kryetari i PDSH-së dhe bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër gjashtë, Menduh Thaçi, para të pranishmëve ka deklaruar se në qoftëse në zgjedhjet presidenciale nuk do të kandidonte me Iljaz Halimin, atëherë policia dhe inspektor të ndryshëm maqedonas do të dënonin shqiptarë duke kërkuar që të votojnë për kandidatët maqedonas.
“Shqiptarët tjerë prej kësaj fitore të Iljaz Halimit dhe PDSH-së do të kenë përfitime të mëdha nacionale, mirëqenie dhe arealizim të të drejtave të tyre, mundohen ta paraqesin se kjo është një situatë se qameti do të krisë se do të vijë Menduh Thaçi në pushtet, nuk kris qameti, kush ka bërë biznes do të bëjë, kush ka ecë përpara dhjetë fish do të ecë përpara, qoftë i BDI-së, qoftë i PDSH-së. Kush ka bërë krim do të përgjigjet, kush ka vjedhur po ashtu do të përgjigjet. Kandidatura e profesor Iljazit është një mbrojtje, mbrojtje për të gjithë shqiptarët që janë hallexhinj, në gjendje të vështirë, janë në ndjekje të ndryshme penale”, deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Thaçi ka deklaruar se është krenar që përfaqëson banorët e kësaj lagje nga ku ai vetë rrjedh, pasi qytetarët e asaj pjese të Tetovës, njëzetë vite me radhë kanë përkrahur dhe kanë votuar PDSH-në dhe për platformën politike të saj. Ai ka akuzuar liderin e BDI-së se nuk i respekton votat e shqiptarëve dhe nuk ka legjitimitet. Sipas kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, anketat e fundit tregojnë se rejtingu i PDSH-së rritet dhe është shumë afër tyre.
Ai ka pyetur liderin e BDI-së pse nuk e pranon që e ka mbështetur Ivanovin që të bëhet president në mandatin e parë dhe tani thotë se Ivanovi është i keq për shqiptarët. Thaçi ka nënvizuar se pushteti i Ivanovit është vetëm një për qind, ndërsa ai i Gruevskit është 99 për qind më i keq, ndërsa oponentët tjerë politik shqiptar, nuk guxojnë të përmendin Gruevskin, por flasin vetëm për Menduh Thaçin.
Sipas tij, shteti nuk u siguron shqiptarëve jetë normale, me mbrojtje sociale, me sisteme edukimi, shkollime, mbrojte, integrim dhe institucione, duke shtuar se asnjë familje shqiptare nuk ka marrë banesa prej shtetit, bursa për shkollimin e fëmijëve dhe se bizneset shqiptare nuk marrin kredi për zhvillimin e bizneseve. Sipas Thaçit, ka mungesë të mbrojtjes së interesave të shqiptarëve dhe që ata presin një ditë të re dhe të lumtur, ku do të krijojnë mirëqenie dhe perspektivë për familjet e shqiptarëve.
Kreu i PDSH-së, ndër të tjera ka çuar porosi edhe deri tek familjarët e ish-ushtarëve të UÇK-së, se nuk do t’i harrojë ata, por se kur do të vijë në pushtet ai do t’i shpallë ata si heronj. Thaçi ka thënë se ai nuk krahasohet me kryeministrin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ashtu siç kanë thënë disa media, po se mundohet të jetë i drejtë dhe i vendosur si ai. Lideri i PDSH-së para banorëve tha se ndjehet krenar që i përfaqëson njerëzit shqiptarë që e votojnë me vetëdije dhe zemër. (Mefail Ismaili, TVM2)
