Maqedoni
Ahmeti dëgjoi hallet e bujqve dhe blegtorëve
09.04.2014 18:58
Nuk ka politikë që mund të implementohet pa u njohur me problemet e bujqve dhe pa iu shpalosur platformën e ngjeshur që përfshin këtë fushë...

Nuk ka politikë që mund të implementohet pa u njohur me problemet e bujqve dhe pa iu shpalosur platformën e ngjeshur që përfshin këtë fushë.
Dëgjuam problemet me të cilat ballafaqoheni gjatë punës suaj, na ngelet të krijojmë kushte më të mira, ofrojmë programe që mënjanon pengesat dhe udhëzime se si të zhvillohet ky sektor, u tha kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, bujqve dhe blegtorëve gjatë takimit të përbashkët.
“Është kënaqësi për mua të flas me njerëzit të cilët me duart e tyre ashtu të vrazhda, tamam si kreshtat e Korabit, Sharrit, sepse për të mbajtur bujqësinë dhe blegtorinë sigurisht duart e pambukta nuk i bëjnë, por duhet t’i kesh duar të vrazhda nga vet puna që e bën, mendoj unë se një popull që ka të zhvilluar bujqësinë dhe blegtorinë, ai zi për bukë nuk ka kurrë, sepse bujqësia dhe blegtoria janë si ajri që e thithim, ashtu kemi nevojë për ushqimin ditor. Në vazhdimësi kemi biseduar me kuadrot kryesisht dikastereve që kanë të bëjnë me bujqësinë, ekonominë, si ta bëjmë qasjen, si ta bëjmë më të fortë organizimin në këto fusha. Sepse ne për të bërë zhvillime të teknologjisë së rëndë nuk kemi dhe nuk pretendojmë, mbase pas 10 e 10 vitesh me kuadrot që do të dalin. Ne mund të konkurrojmë me produkte të bujqësisë dhe blegtorisë dhe kemi kushte të jashtëzakonshme, kushte që është mëkat, gjynah të mos shfrytëzohen, puna e politikës është të krijohet treg për produktet bujqësore, për produktet blegtorale”, theksoi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Këtë vit për bujqësi dhe blegtori janë ndarë mjaft fonde evropiane dhe u shpalosën projektet, si: pikat e grumbullimit në Vrapçishtë për Pollogun dhe Likovën.
“Në bazë të bisedave që kemi pasur me ju, ne mendojmë të bëjmë pak më shumë, kur flasim për integrimin në Evropë ne flasim edhe për politikat dhe reformat që ju duhet t’i bëni dhe normalisht kjo punë do të bëhet në bashkësi, në aspekt të politikave që do të bëhen nga resorët e bujqësisë, po ashtu edhe nga puna konkrete që del në teren, cilat produkte janë më të mirat për ju, cilat janë më të kërkuarat në treg dhe për të qenë sa më real, jemi munduar të sigurojmë mjete, fonde financiare nga Bashkimi Evropian, gjatë kohës së kaluar kemi siguruar 65 milion euro për bujqësi, tu them të drejtën nga këto vetëm rreth 8 milion euro janë shfrytëzuar, nga kjo pako kanë ngelur 40 milion euro që duhet ne bashkërisht t’i shfrytëzojmë”, tha kandidati për deputet nga BDI, Fatmir Besimi.
“Ne vazhdojmë me ndarjen e subvencioneve dhe në vitet e kaluara subvencionime ka pasur në vlerë prej 565 milion euro, prej të cilave 126 milion euro për vendbanimet shqiptare deri në vitin 2017, për katër vite vlera do të jetë 595 milion euro, prej ku 195 milion euro do të dedikohen për vendbanimet shqiptare, gjegjësisht për ata blegtor dhe bujq që merren me bujqësi dhe punojnë. Këtu kemi edhe programin për zhvillim rural dhe novitet do të jetë se gjatë viteve të ardhshme mjetet do të dedikohen për sistem akumulues të ujit, pasi pritet thatësi më e madhe”, u shpreh sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besim Jashari.
Në takim morën pjesë edhe kandidatët për deputet në njësinë numër 2 dhe kryesuesi i listës, Rexhail Ismaili. Pa guxim dhe sakrificë nuk mund të arrijmë atje ku synojmë, por bashkërisht do të tejkalojmë çdo pengesë, theksuan nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Çmimi jo i volitshëm i mishit të qengjit dhe produktet e qumështit, subvencionet, problemet me blerjen e tokës private, ishin disa nga pyetjet që parashtruan bujqit dhe blegtorët gjatë takimit të hapur. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)
