Milevski shpalos listën e futbollistëve U21
Seleksionuesi i shpresave të Maqedonisë në futboll, Blagoja Milevski...

Seleksionuesi i shpresave të Maqedonisë në futboll, Blagoja Milevski gjatë ditës së sotme publikoi listën e futbollistëve të përzgjedhur, për ndeshjet e rëndësishme eliminatore kundër Skocisë si mysafire dhe Irlandës së Veriut në Shkup.
Në listën e tij gjenden 20 lojtarë, ata të cilët bartën përgjegjësinë edhe në ndeshjet e deritanishme, në mesin e tyre edhe pesë futbollistët shqiptarë, Egzon Bejtullahu, Mevlan Murati dhe Besir Demiri nga Shkëndija, Visar Musliu nga Renova, si dhe Enis Bardhi nga Ujpeshti hungarez. Në emëroren e re të Milevskit, I vetmi lojtar i ri në krahasim me takimet e kaluara, është 16 vjeçari i Rabotniçkit, Elif Elmaz, I cili po regjistron paraqitje mjaft të mira këtë sezon me skuadrën e tij.
Ndryshe, Maqedonia gjendet në grupin e tretë eliminator dhe e ndanë vendin e dytë me Skocinë me nga 12 pikë, por edhe një ndeshje më shumë, ndërsa lider është Franca me dy pikë më shumë.
Deri në fund të ndeshjeve kualifikuese për kampionatin europian kanë mbetur edhe tre ndeshje, ndërsa Maqedonia, sfidën e rradhës do ta luaj me rivalin direkt për pozitën e dytë, Skocinë, në cilësinë e mysafirit, me 2 shtator. Pas katër ditësh, në Shkup do të vij Irlanda e Veriut, ndërsa ky cikël kualifikues do të mbyllet me 8 tetor ndaj Skocisë. (Mustafa Ademi, TVM2)
