Popovski: Data e zgjedhjeve në dorë të opozitës

24.08.2016 15:00

Marrëveshja e Përzhinës është e gjallë dhe si e tillë është edhe dokument...

Marrëveshja e Përzhinës është e gjallë dhe si e tillë është edhe dokument që nxjerr vendin nga kriza politike. Kështu vlerësoi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.

Ky dokument ka qartësuar edhe kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërkaq sa i përket datës së zgjedhjeve aktorët politik kanë dalë me qëndrimet e tyre.

Qëndrimi i koalicionit qeveritar është i qartë. Partia më e madhe opozitare ka mundësi, privilegj dhe luks të caktojë momentin se kur ndihet më komod t’i organizojë zgjedhjet, theksoi Popovski.

“Mendoj se kemi marrëveshje politike dhe kjo marrëveshje mbetet gjallë dhe për ne ky dokument paraqet mënyrë për tejkalimin e krizës politike. Kjo nënkupton edhe organizimin e  zgjedhjeve në pajtueshmëri me kushtet që janë definuar në marrëveshje. E vetmja gjë në pikëpyetje në këtë kontekst është data, ndërsa për këtë nga aktorët politik në publik kemi dëgjuar qëndrimet e tyre”,- tha ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.

Në vigjilje të vizitës së kryediplomatit grek, Kotzias, i cili do të mbajë fjalim përpara këshillit të ambasadorëve, Popovski tha se nuk beson që në takim kontesti rreth emrit do të jetë çështje diskutimi.

“Nuk e besoj se në këtë rast do të mund të kapemi për zgjidhjen e një çështje  aq të madhe. Herën e kaluar thamë se ajo që e kemi prioritet është përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, krijimi i lidhjeve më të forta në më shumë sfera dhe mendoj se për këtë në periudhën e kaluar kemi bërë hap të mirë”,- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.

Popovski gjithashtu theksoi se nuk duhet të krijohet iluzion se problemi me emrin do të zhduket, sepse marrëdhëniet bilaterale janë komplekse dhe të stërngarkuara. (Nermin Mulaki-Fjzullahu, TVM2)