KF Shkëndija: Të matur drejt fitores dhe plasmanit historik në grupet e LE

24.08.2016 15:33

Pa shumë eufori dhe të përqëndruar maksimalisht në të gjithë 90 minutat...

Pa shumë eufori dhe të përqëndruar maksimalisht në të gjithë 90 minutat, me të vetmin qëllim, fitoren dhe plasmanin historik në grupet e Ligës Europa.

Ky është synimi i KF Shkëndija, në vigjile të takimit të nesërm kthyes, të raundit të play off`it në veprimtarinë më masive, kundër favoritit belg, Gentit, i dhënë në takimin e sotëm me gazetarët, nga ana e trajnerit Bruno Akrapoviç dhe kapiteni Ferhan Hasani.

Detyra ime si trajner është që të kujdesem që skuadra mos të digjet si zjarri, nga dëshira e madhe që e ka për fitore, ishte i opinionit, boshnjaku Akrapoviç.

“Përshëndetje për gjithë dashamirët e futbollit në gjithë Maqedoninë dhe më gjërë, pasi sa dëgjoj ka shumë interes për këtë ndeshje dhe vetë ky fakt tregon se sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ne, për ekipin dhe për botën e futbollit që e duan këtë sport. Kemi krijuar atë situatë që rezultati të jetë i ngushtë, të kemi shanse për të kaluar në grupe dhe do të japim gjithçka nga vetja që atë mundësi ta shfrytëzojmë. Ekipi do të luajë si zjar, kjo është e sigurtë, ndërsa detyra ime është që të kujdesem mos digjet“, deklaroi Akrapoviç.

Nga ana tjetër, kapiteni i skuadrës Ferhan Hasani, është i mendimit se edhe kjo sfidë, do të jetë njëashtu e vështirë si edhe tri të kaluarat në shtëpi, të cilat u kaluan me sukses.

“Jemi të vetëdijshëm për vlerën e ndeshjes që do të luajmë nesër, e dijmë se do të ballafaqohemi me një kundërshtarë të fortë, por ne e pamë edhe në ndeshjen e parë se ne kemi ekip i cili mund tu bëjë ballë kundërshtar të fortë si që është Genti. Për ne ky është moment historik, besoj se të gjithë do të japim më të mirën nga vetja, do të japim maksimumin që të arrijmë të kualifikohemi në grupet e Europa Ligës. Besoj do të jetë ndeshje e vështirë, por si që thash më herët ne kemi treguar deri tash se jemi ekip i mirë. Ashtu si do të jetë e vështirë kjo ndeshje, ne kemi kaluar tre raunde paraprakisht të vështira ku aspak nuk ishte e lehtë. Si kemi arrdhur deri këtu, besoj se do të vazhdojmë edhe më tutje“, u shpreh kapiteni Hasani.

Ndryshe, Shkëndija në takimin e nesërm, që do të luhet nga ora 20.00 në Arenën “Filipi i Dytë” në Shkup, do të hyj me dizavantazh prej 1-2, si dhe pa njërin prej lojtarëve më të mirë deri më tani, mesfushori Stefan Vujçiç, i cili do të mungoj shkaku I kartonave të verdhë, ndërsa sipas trajnerit Akrapoviç, Radeski është rikuperuar nga dëmtimi dhe do të pret inkuadrimin eventual në lojë nga bankina e rezervistëve. (Mustafa Ademi, TVM2)