Botë

Itali, rritet në 247 numri i viktimave, mes tyre një shqiptar

25.08.2016 10:28

Është rritur në 247 numri i viktimave pas tërmeteve që dje goditën Italinë qendrore...

Mijëra persona janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit gjatë natës.
 
Shumë njerëz besohet se ndodhen akoma nën rrënoja, ndërsa më tepër se 4300 persona po përdorin makineri apo edhe duart e tyre për të hequr rrënojat me shpresën për të gjetur akoma njerëz të gjallë.
 
“Shumë prej viktimave janë fëmijë”,- ka deklaruar ministri italian i Shëndetësisë dhe “frika është se bilanci i viktimave do të vijojë të rritet”.
 
Mes viktimave tashmë është konfirmuar edhe një emigrant shqiptar, ndërsa 7 të tjerë janë lënduar. Gërmimet nuk janë ndërprerë gjatë gjithë natës në Amatrice, Accumoli, Pescara del Tronto dhe Aquata.
 
Ndërkohë janë ngritur kampe strehimi për 2500 të pastrehë. Instituti sizmik konfirmon një lëkundje të re të tërmetit të regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në shkallën 4.5 ballë të shkallës Rihter.
 
Sipas specialistëve të këtij Instituti, aktiviteti sizmik vazhdon të jetë ende i fuqishëm në këtë territor.