Maqedoni

Ligji për reklamim qeveritar u tërhoq, përplasjet VMRO-LSDM ende vazhdojnë

26.08.2016 16:24

Qeveria tërhoqi Ligjin për reklamim në media, të propozuar në Kuvend nga Ministria për Shoqëri Informatike...

Nuk ka ende asnjë reagim, përse ligji u tërhoq, por LSDM-së i mbetën pa dorëzuar qindra amendamente të cilat i paralajmëroi për bllokimin e ligjit.
 
Nga partia e Zaevit e quajnë këtë tërheqje fitore të opozitës.
 
“Reklamimi qeveritar tashmë disa vite është një prej mekanizmave kryesorë me të cilat pushteti korrupton mediat dhe blen mbështetjen e pronarëve të mediave në këmbim të lirisë së gazetarëve dhe në dëm të profesionit. Me paratë e qytetarëve pushteti krijon përmes mediave ide të gënjeshtrës së realitetit. Por, tanimë Nikolla Gruevski nuk mund të mbështetet tek propaganda dhe  gënjeshtra”,- thonë nga LSDM-ja. 
 
Partia maqedonase në pushtet akuzon ndërkohë LSDM-në për politikë destruktive edhe ndaj obligimeve reformuese që ka marrë Maqedonia në rrugën e saj drejt BE-së.
 
“LSDM është kundër ligjeve europiane për mediat dhe nuk dëshiron rregullimin e reklamimit qeveritar sipas modeleve europiane. LSDM pengon, bën obstruksione dhe kërcënon publikisht mediat që nuk janë në kontrollin e saj dhe të Sorosit. Kërcënohen të gjitha mediat që flasin për destruktivitetin dhe funksionimin joligjor të kriminelit të falur Zoran Zaev dhe ata shpallen si armiq të LSDM-së, e cila kërkon ndaj tyre censurë, gjoba rigoroze deri edhe në marrjen e licencave”,- kundërpërgjigjen nga VMRO-DPMNE. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU