Bajerni i fortë për Junajtedin
Në ndeshjen midis dy skuadrave ku luajnë dy yjet e mëdha të futbollit evropian, dy futbollistët shqiptarë Shaqiri – Januzaj, në fund fitores iu gëzua skuadra e Shaqës, i cili megjithatë nuk ishte në formacion. Në anën tjetër Januzaj për “Djajtë e Kuq” luajti nga minutan e 81-të, kur veçmë ishte formuluar rezultati i këtij takimi….
Bajern Munihu ka siguruar vizën për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pasi sonte në “Alianc Arena” mundi Mançester Junajtedin me rezultatin 3:1 në ndeshjen e kthimit të çerekfinales.
“Bavarezët” ishin skuadër më e mirë në fushën e gjelbër, edhe pse gjatë pjesës së parë “Djajtë e Kuq” nuk lejuan që gjermanët të shënojnë në rrjetën e tyre.
Madje kampionët e Anglisë shënuan të parët në këtë ndeshje, kur Patris Evra në minutën e 57-të shënoi një super gol me të majtën e tij, që nuk kishte kundërpërgjigje nga ana e portierit vendas, Manuel Nojer.
Megjithatë këtij goli “Djajtë e Kuq” iu gëzuan vetëm dy minuta, pasi në anën tjetër kroati Mario Manxhukiq shumë shpejt arriti që të barazojë shifrat kur me kokë shënoi në rrjetën e De Geas.
Epërsinë e parë për “bavarezët” në këtë takim e siguroi Tomas Myler në minutën e 68-të kur pas një aksioni të gjatë mjaft bukur shfrytëzoi pasimin e Arjen Roben brenda 5-metërshit të portierit De Gea dhe nga afërsia shënoi për 2:1.
Rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Bajern Munihu 3, Mançester Junajtedi 1 e vendosi holandezi Arjen Roben në minutën e 76-të kur pas një solo aksioni në stilin e tij me të majtë shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e anglezëve, duke shuar ëndërrën e tyre se mund të bëjnë ndonjë befasi dhe të shpëtojnë sezonin katastrofal nën drejtimin e Dejvid Mojs.
Në këtë mënyrë Bajerni me rezultatin e përgjithshëm 4:2 me meritë u kualifikua për në gjysmëfinale ku shpreson të përsëris suksesin e vitit të kaluar dhe sërish të mbajë fronin në Evropë. Megjithatë për të bërë një gjë të tillë fillimisht do të duhet të eliminojë kundërshtarin e parë në gjysmëfinale, emrin e të cilit do ta mësojë të premten.
A do të jetë ajo një përballje mes Guardiolas dhe Murinjos (Bajern-Çelzi), apo ndoshta përballë do të kenë një ndër dy skuadrat madrilene, ajo mbetet që të zyrtarizohet vetëm të premten. Deri atë ditë Bajerni do të festojë, pasi sërish është në rrugë të mirë që të përsëris suksesin e vitit të kaluar. (infOSport.mk)