Eliminohet Barcelona, Atl.Madridi në gjysmëfinale
Të përzgjedhurit e trajnerit Diego Simeone shënuan fitore minimale 1:0, e mjaftueshme për të sigurua r një vend në mesin e katër skuadrave më të mira evropiane pas 4 dekadave……
Atletiko Madridi do të luajë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pasi sonte në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në “Visente Kallderon” arriti që të menjanojë nga garat e mëtutjeshme skuadrën gjigande të Barcelonës.
Të përzgjedhurit e trajnerit Diego Simeone shënuan fitore minimale 1:0, e mjaftueshme për të sigurua r një vend në mesin e katër skuadrave më të mira evropiane pas 4 dekadave.
Në anën tjetër Barcelona për herë të parë pas 7 viteve nuk arriti që ti gëzohet kualifikimit për në gjysmëfinale, me ç’rast dalëngadalë na lë të kuptojmë se i ka ardhur fundi dominimimit “katalunas” dhe se tashmë po lind një futboll tjetër evropian, edhe më modern.
Hero i “jorganxhinjëve” sonte përballë skuadrës “katalunase” ishte Koke, që realizoi golin e fitores vetëm pas 5 minutave lojë.
Kështu madrilenët pas dy ndeshjeve kalojnë në mesin e katër ekipeve më të mira me rezultat të përgjithshëm 2:1, pasi ndeshja e parë në “Kamp Nou” para një jave përfundoi 1:1.
Atletiko Madridi e fitoi ndeshjen me plotë meritë, pasi madrilenët qëlluan dy tërthorëse dhe një shtyllë, ndërsa në çastet e fundit të takimit nëse Gabi dhe Kristian Rodrigez do ishin më syçel, rezultati mund të ishte më ndryshe, por që fati nuk ishte në anën e tyre që të shënojnë.
Barcelona tashmë mbetet në garë vetëm për dy trofe, edhe pse paralajmërimet e tyre ishin që këtë sezon do të kërkojnë tre tituj. Rastin e parë për tu kurorëzuar me trofeun e parë gjatë këtij sezoni, Barcelona do ta ketë javën e ardhshme me 16 prill, kur do të zhvillojë finalen e Kupës së Mbretit përballë Realit të Madridit, ndërkohë kundër Atletiko Madridit do të mund të hakmerret vetëm në javën e fundit të La Ligas, kur këto dy skuadra do të përballen njëra me tjetrën, dhe me siguri se ajo ndeshje do të mund të vendos shumë gjëra rreth titullit të kampionit. (infOSport.mk)