LËVIZJA "VEPRO"

Lëvizja “Vepro” do të vëzhgojë zgjedhjet presidenciale

10.04.2014 19:10

Zgjedhjet presidenciale të së dielës, do të vëzhgohen edhe nga 2300 vëzhgues shtesë të lëvizjes “Vepro” nga Struga……

Zgjedhjet presidenciale të së dielës, do të vëzhgohen edhe nga 2300 vëzhgues shtesë të lëvizjes “Vepro” nga Struga. Kjo lëvizje tashmë ka dorëzuar deri te KSHZ, kërkesën për autorizime për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe me vëzhguesit e saj do të mbulojë 1500 vendvotime.

“Vlerësimi ynë për fushatën zgjedhore është pozitiv dhe konsiderojmë që edhe ditëve në vijim duhet të vazhdojë të jetë e qetë dhe pozitive. Ne bëhemi organizata e parë shqiptare që do të mbikëqyrim zgjedhjet dhe që do t’i mbulojmë mbi 1500 vendvotime. Planet tona janë që në zgjedhjet e ardhshme të shtrihemi në të gjithë vendin, në bazë të rezultateve dhe analizave që do të grumbullojmë nga gjithë procesi, do të japim edhe rekomandime për ndryshime eventuale në kodin zgjedhor”,  - deklaruan nga lëvizja “VEPRO”.

Shoqata për demokratizim dhe ngritje të vetëdijes kolektive, lëvizja “VEPRO” nga Struga, është themeluar më 12 dhjetor 2012. Ajo është organizatë joqeveritare vullnetare, shoqatë qytetare jopartiake, e formuar me vullnetin e lirë të qytetarëve, me qëllimin për arritjen, mbrojtjen dhe harmonizimin e interesave të tyre dhe besimin për avancimin e shoqërisë qytetare dhe bashkësive lokale, si dhe ushtrimin e veprimtarisë dhe aktiviteteve për zhvillim lokal, demokraci lokale dhe aktivitet qytetar. (Florije Kamberi, TVM2)