ZGJEDHJET PARLAMENTARE

RDK mbajti tubim në Çegran të Gostivarit

10.04.2014 19:13

RDK-ja platformën zgjedhore e prezantoi para banorëve të fshatit Çegran në Gostivar…

RDK-ja platformën zgjedhore e prezantoi para banorëve të fshatit Çegran në Gostivar. Me këtë rast, kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, adresoi kritika të ashpra ndaj pushtetit  në sferën ekonomike,  duke akuzuar kryeministrin Gruevski se gjatë gjithë kohës së qeverisjes ka bërë investime vetëm në pjesët e banuara me maqedonas, duke hedhur poshtë tezat për përçarjen e votës shqiptare. Prandaj kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, fton që të përkrahet platforma politike e kësaj partie.

“Kryetari i VMRO-së thotë se ne kemi realizuar mbi 1 miliard investime të huaja, kemi realizuar me qindra miliona euro investime në infrastrukturë dhe premton se do të realizon mbi 60 mijë punësime, por të gjitha investimet që janë pjesë e programit të 2014-ës, projekte 99.9 % të rasteve shkojnë ekskluzivisht në vendbanimet maqedonase...”, - deklaroi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.

Nga RDK bëjnë të ditur gjithashtu sot se dega në Strugë e sheh të nevojshme të tërheq vëmendjen e elektoratit të njësisë zgjedhore nr. 5, për rëndësinë e votimeve të 27 prillit. Nga RDK thonë se kjo ditë e vetme përcakton fatin e këtij subjekti politik për katër vitet e ardhshme, prandaj elektorati shqiptar duhet të bëjë zgjedhjen e duhur dhe të mos e djegë votën e tij.

Me zhvillimet e fundit në Strugë, tashmë është e qartë për këdo se ndryshe nga tre vite më parë, është teorikisht e pamundur që lista e nxjerrë nga Thaçi të jetë garuese serioze në këto zgjedhje. Vota për Zija Jonuzin në njësinë 5 është votë e humbur, thuhet mes tjerash në njoftimin me shkrim nga Rilindja Demokratike Kombëtare.( Flutura Latifi, TVM2)