ZGJEDHJET PARLAMENTARE

BDI mbajti tubim në Zhitoshë të Dollnenit

10.04.2014 19:21

Aktivitetet parazgjedhore BDI i zhvilloi në vendbanimet e Komunës së Dollnenit, ndërsa tubimin qëndror e mbajti në fshatin Zhitosh të kësaj komune………..

Aktivitetet parazgjedhore BDI i zhvilloi në vendbanimet e Komunës së Dollnenit, ndërsa tubimin qëndror e mbajti në fshatin Zhitosh të kësaj komune, ku para të pranishmëve, anëtarëve dhe  simpatizantëve të kësaj partie, u prezantua edhe kandidati për deputet i kësaj ane, Musa Ibrahimi,  i cili  tha se banorët e këtyre anëve janë qëndresa e kombit tonë.

"Sot me të drejtë mund tu themi edhe atyre që dikur thonë se është vështirë të jesh shqiptarë, këtu është vështirë, por dhe krenari të jesh shqiptarë i qëndresës këtu, krejt kjo fjalë falë arkitektit të paqes të zotri Ali Ahmetit” deklaroi kandidati për deputet nga BDI, Musa Ibrahimi.

Ndërsa bartësi i listës në njësinë  zgjedhore numër 5, Musa Xhaferi,tha se përfaqësues të BDI-së kanë vizituar shumicën e fshatrave të Dollnenit dhe Krushevës dhe kanë dëgjuar hallet e kësaj popullate. BDI do të angazhohet që ky rajon të mos ndjehet i anashkaluar, tha Xhaferi, duke kërkuar që popullata e kësaj ane të mos bie pre e provokimeve presioneve të subjekteve tjera politike, për të këmbyer votën me dënime apo me kontratat bujqësore të banorëve të kësaj ane për prodhimin e duhanit.

“Kur të tjerët po mundohen të kushtëzojnë popullatën po mundohen të kushtëzojnë programet e ardhshme qeveritare ne jemi  në këto rrethana që kërkojmë këtë radhë që të bashkohet vota rreth BDI-së jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga turqit, boshnjakët që jetojnë bashkë me shqiptarët këtu, sepse BDI do të dijë të ua shpërblejë me vepra, me projekte, me avancime, me krijimin e kushteve më të mira për shkollim, me punësime në të ardhmen, për arsye se gjeneratat e reja duhet të krijojnë këtu perspektivë, të mos shkojnë jashtë vendit, të shkollohen dhe të punojnë këtu ”, u shpreh kandidati për deputet nga BDI, Musa Xhaferi.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, para anëtarëve dhe simpatizuesve të fshatit Zhitosh, tha se vota për BDI-në do të thotë votë për të triumfuar njerëzia. Në vitin 2001 u arrit marrëveshja e Ohrit, e cila rregullon çështjet mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por nuk i la anash edhe komunitetet më të vogla të cilat, siç tha ai, po ashtu ishin të diskriminuar.

“Ne punojmë dhe luftojmë që të fitojë njerzillëku, ne angazhohemi që njerëzit të jenë  të  lirë,  të jetojnë  me pasurinë  dhe  begatinë  e vetë,  që  krijojnë  vetë  ata. Ne nuk marrim dhe nuk duam hise të askujt, por edhe tonën se japim. Nuk ka nevojë të frikësohet askush nga forca, nga prania dhe madhësia dhe madhështia e Bashkimit Demokratik për Integrim. Anise dikush mendon se na frikëson, qerpiku s’na dridhet. Luftërat në rajon  dhe në Ballkan kanë përfunduar.  Para 12 viteve është hapur një kapitull i ri. Në Maqedoni është nënshkruar MO-ja, një kontratë që rregullon çështjet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Pa harruar, me insistimin tonë janë futur edhe komunitetet më të vogla në këtë marrëveshje, pasi edhe ata ishin të diskriminuar, si turqit, si boshnjakët, si vllahët, si romët. Dhe unë këtë nuk e theksoj dhe nuk e rikujtoj se na paskan borxh turqit, boshnjakët, romët, vllahët, që ata të votojnë  BDI-në. Se ne nuk e kemi bërë këtë gjest dhe këtë veprim dhe as që e kemi menduar në atë kohë që ne do të bëhemi parti politike, pasi s’e kemi ditur nëse do të jetojmë apo s’do jetojmë, por së paku kërkojmë që të jenë mirënjohës”, - tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Po ashtu në këtë tubim mbështetjen për BDI-në e theksoi edhe Lidhja Demokratike e Boshnjakëve, duke apeluar që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të gjithë myslimanët të votojnë për BDI-në. Ndërsa mbështetje për BDI-në kërkoi edhe shefi i Shtabit Komunal Zgjedhor në Komunën e Dollnenit, Xhemil Qamili. (Gyltene Sinani, TVM2)