PDSH mbajti tubim në Çegran
Numri i madh i prezencës suaj më jep shpresë se me 13 prill do të arrijë të kaloj hapin e parë dhe me 27 prill të futem në rrethin e dytë, tha kandidati për president nga radhët e PDSH-së, Iljaz Halimi, para banorëve të Çegranit të Gostivarit……………

Numri i madh i prezencës suaj më jep shpresë se me 13 prill do të arrijë të kaloj hapin e parë dhe me 27 prill të futem në rrethin e dytë, tha kandidati për president nga radhët e PDSH-së, Iljaz Halimi, para banorëve të Çegranit të Gostivarit.
Gara për postin e kryetarit të shtetit është një shans i rrallë për shqiptarët, që t’i bashkojnë votat. Unë garoj me tre kandidat tjerë maqedonas dhe kjo është një mundësi e rrallë për shqiptarët, sepse nuk besoj që do të ndodhë në të ardhmen, nuk ka ndodhur as në të kaluarën, që shqiptarët të kenë një kandidat të vetëm, tha Iljaz Halimi.
Ai më tej para banorëve të Çegranit deklaroi se ky është një moment historik për popullin shqiptar, që ata t’i bashkojnë votat dhe të votojnë për atë, që t’i jepet mundësia që të hyjë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Nëse unë hyj në rrethin e dytë dhe garoj me njërin prej tre kandidatëve tjerë, do të jetë një mundësi e re për ne, që të arrijmë një marrëveshje me palën tjetër, ku do të inkorporohet platforma jonë dhe natyrisht në qeverisjen e ardhshme mund të realizohet ajo platformë, tha Iljaz Halimi, kandidati për president të Maqedonisë. Motoja për president shqiptar do të dëshmojë që shqiptarët me 13 prill do të rrethojnë nr 2, ndërsa me 27 prill do të behet kthesa vendimtare për popullin shqiptar, sepse ata masovikisht do të mbështesin Partinë Demokratike Shqiptare, parti e cila nëse vij në pushtet do të sjellë ndryshime pozitive për popullin shqiptar, tha Halimi. Kandidati për president, Iljaz Halimi, u shpreh se edhe përkundër kërkesës së oponentit të tyre politik, shqiptarët do ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.
“Besoj që me 13 prill do të arrijmë që ta kalojmë pragun dhe kësmet me 27 prill, natyrisht të hy në rrethin e dytë ku do të më jepet mundësia të garoj me njërin prej tre kandidatëve tjerë. Kjo është e mundur që të arrihet, për arsye se janë votat, janë shqiptarët, mbi 350 mijë vota i kemi, mjaftojnë 300 mijë vota që unë të hyj në rrethin e dytë, kur kemi parasysh se votat e të tjerëve do të ndahen mes atyre të treve. Pra kjo do të jetë një arritje e madhe për ne si shqiptarë. Do të jetë një moment historik, ku ne do t’i ngrijmë bisedat në nivel më të lartë dhe do të arrijmë një marrëveshje e cila do të jetë me të vërtetë historike, ku edhe do të krijohen mundësitë për avancimin e pozitës së shqiptarëve. Andaj besoj se shqiptarët janë të ngritur, janë formuar dhe e dinë se çka duhet të bëjnë. Ata do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe besoj që me 13 prill do të më mbështesin mua dhe me këtë ata do të kryejnë një obligim qytetar, si dhe kombëtar. Ajo votë do të më nderon mua, do ta nderon Partin Demokratike Shqiptare, do të ju nderon juve, për arsye se do ta faktorizon dhe do të na bën si popull që jemi të gatshëm të përballemi edhe me këtë sfidë, siç është posti i kryetarit të shtetit. Unë jam krenar pra që jam shqiptar, që i takoj Partisë Demokratike Shqiptare dhe jam krenar që e vazhdoj rrugën e trazuar të ish-kryetarit tonë, Arbër Xhaferit”, deklaroi kandidati për president nga PDSH, Iljaz Halimi.
Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, drejtoi kritika ndaj pushtetit për diskriminim e shqiptarëve në ndarjen e buxhetit, në sferën ekonomike, sociale dhe në shumë lëmi të tjera, ku shqiptarët u mungojnë shumë gjëra. Realiteti duhet ndryshuar dhe ne do të bëjmë përpjekje maksimale që shqiptarët të zënë vendin e merituar në shoqërinë tonë, deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, para banorëve të Çegranit. Ai akuzoi Bashkimit Demokratik për Integrim, se po përdor një gjuhë të ashpër, një fjalor të rëndë politik dhe këtij fjalori të gjithë shqiptarët duhet t’i thonë “Jo”, sepse është një tendosje artificiale. Ju të gjithë mund të kontribuoni që të flisni me ata dhe tu thoni se nuk do të ndodh ndonjë gjë e madhe, por me 27 prill shqiptarët do të vendosin se kush do jetë në pushtet e kush në opozitë, u shpreh Thaçi. Kjo nuk duhet të paraqet frikë për BDI-në, sepse kur bie në opozitë nuk vdes, ja shembull i opozitës së fort kombëtare për momentin në krye me mua, të gjithë jemi të gjallë, jetojmë si duhet.
“Dua që bashkërisht të gjithë ne që jemi këtu dhe shqiptarët tjerë që nuk janë këtu, ta refuzojmë gjuhën me të cilën flet oponenti ynë politik. Është një tendosje artificiale të atmosferës nga ana e pushtetarëve shqiptarë që janë në pushtet dhe e paraqesin këtë situatë si një përplasje e mundshme mes qindra mijëra shqiptarëve të PDSH-së dhe qindra mijëra shqiptarëve të BDI-së, nuk është e vërtet kjo”, - tha kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Nga Çegrani i Gostivarit, lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, kritikoi partinë shqiptare në pushtet, BDI-në, se pse nuk e mbrojnë sa duhet biznesin shqiptar.
Kreu i PDSH-së, Thaçi, theksoi se kur e paraqet qëndrimin se oferta e PDSH-së është më e favorshme kur kandidati për president i PDSH-së, Iljaz Halimi, mund t’i detyrojë forcat politike maqedonase të ulen në tavolinë dhe aty të bëhet kriza politike, oponentët politik nuk pranojnë këtë. Ata thonë ne e duam një kandidat për president të dyanshëm. S’ka ashtu, shqiptarët dhe PDSH-ja jemi të njëanshëm te populli, te feja, te kultura dhe te gjuha, tha kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Para banorëve të Çegranit të Gostivarit, fjalim mbajti edhe kandidati për deputet në zonën 6, Gazmend Aliu, i propozuar nga PDSH-ja, me ç’rast ai kërkoi që me 13 dhe 27 prill, masovikisht të dalin dhe të votojnë platformën dhe ofertën e Partisë Demokratike Shqiptare, t’i thonë “PO” dinjitetit, t’i thonë “PO” perspektivës së fëmijëve të tyre. Sipas tij, një “PO” pro PDSH-së do të thotë “PO” për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve të Maqedonisë. Partia Demokratike Shqiptare, dëshiron që në postin e kryetarit të shtetit të jetë një shqiptar, PDHSH-ja është rruga e ndryshimit dhe rikthimit, është parti e cila më 27 prill do të sjellë fitore për popullin shqiptar, tha kandidati për deputet, Gazmend Aliu. Sipas tij, nëse popullata shqiptare dëshiron ndryshime, atëherë duhet të shfrytëzojnë të drejtën e votës, sepse vota sjellë ndryshime. (Sanije Kasami, TVM2)
