Rebalanci i buxhetit, opozita: ridestinoni paratë e “Shkupit 2014”
Ka vazhduar debati për rebalancin në Komisionin për financa dhe buxhet....

Ka vazhduar debati për rebalancin në Komisionin për financa dhe buxhet.
Nga partia shqiptare në opozitë thonë se qeveria duhet të mbartë përgjegjësi për dëmet materiale dhe humbjet e njerëzve që u shkaktuan si pasojë e vërshimeve.
Nga PDSh thonë se edhe përkundër qindra amendamenteve të propozuara me vite për rregullimin e shtretërve dhe kanaleve nëpër komunat shqiptare, Qeveria e ka bërë veshin të shurdhër, pasi ka qenë tepër e zënë me projekte megalomane si “Shkupi 2014”.
“Jo vetëm që shkatërroni këtë të tashmen, por ju jeni t’u marrë jetë njerëzish. Si do t’u arsyetoni banorëve të Hasanbegut dhe Haraçinës se nuk e bëmë këtë kanalin sepse s’kishim mjete, por mirë si i votove t’i projektet e “Shkupit 2014””, - tha Ernad Fejzullahu nga PDSh.
Edhe LSDM nuk pajtohet me rebalancin e buxhetit. Sipas opozitës, ka mënyra të tjera për t’u kompensuar dëmet e shkaktuara në rajonet e përmbytura.
“Parashikojmë që Qeveria e RM-së të ndërpresë 10 milionë euro për ndërtimin e objekteve, për të cilat vlerësojmë se mund të ndërtohen në një periudhë të ardhshme. Parashikojmë që Qeveria të shkurtojë 5 milionë euro të dedikuara për promovim ekonomik, gjithashtu parashohim të shkurtohen edhe nga Ministria e Financave 6.5 milionë euro nga transferet e ndryshme, shpenzime jo produktive, për të cilat mendojmë se do të ishin të dobishme të shfrytëzohen për rajonet e përmbytura”,- tha Vasko Kovaçevski nga LSDM.
Nga VMRO–DMPNE thonë se opozita nuk ka tjera fakte përveç asaj se akuzon për projektin e “Shkupit 2014”, ndërsa thekson se të gjithë banorët tek të cilët është shkaktuar dëm, do të kompensohen.
“Po ndahen 38 milionë euro për evitimin e dëmeve materiale në rajonet e përmbytura të Shkupit dhe Tetovës. Dëmet do të kompensohen 100%, siç është sjellë me vendim të Qeverisë. Normalisht, dëmi do të paguhet në momentin kur Komisioni për vlerësimin e dëmeve do ta vërtetojnë atë dëm dhe sigurisht se mjetet do të ndahen ashtu siç vlerëson Komisioni, e jo në mënyrë selektive, siç po thoni ju”,- u shpreh Sasho Jakimovski nga VMRO.
Me rebalancin e buxhetit, Qeveria parasheh 2.240 milionë denarë si rezervë të përhershme për tejkalimin e pasojave nga fatkeqësitë natyrore. Qeveria siguron se me rebalancin e buxhetit do të sigurojë 36.4 milionë euro për sanimin e pasojave nga përmbytjet edhe pse vlerësimi i dëmeve ende nuk ka përfunduar. (Ersan Pajaziti, TVM2)
