Maqedoni

Sërish dështon Komisioni Ad-hok, katër anëtarët sytë nga takimi i liderëve

31.08.2016 18:02

Katër anëtarët e Komisionit Ad-hok për monitorimin e zgjedhjeve nuk arritën që të zgjedhin anëtarin e pestë shqiptar...

Bisedimet ishin të pasuksesshme dhe ata presin që kandidati shqiptar të zgjidhet nga liderët partiakë.
 
Sipas Lubomir Kostovskit, i cili është anëtarë i komisionit i propozuar nga LSDM, kundër kandidatit, Sefer Tahiri, janë deklaruar dy anëtarët e Komisionit të propozuar nga VMRO-DPMNE, Cvetin Çilimanov dhe Slagjana Dimishkova. 
 
“Përfunduam takimin, sepse nuk ka asnjë zgjidhje, thjesht kolegët e mi nuk kanë drejtim se për kë të vendosin. Unë mendova që situata është e pastër dhe personalisht nuk kam asgjë kundër që Tahiri të jetë anëtar i pestë i Komisionit. Mbetet të shohim se çka do të vendoset në takimin e liderëve”,- deklaroi anëtari i propozuar nga LSDM, Lubomir Kostovski.
 
Por, Cvetan Çilimanovi, anëtari i propozuan nga VMRO-DPMNE, thotë se nuk kanë asgjë kundër kandidatit, Sefer Tahiri, por shqetëson fakti pse anëtarët e LSDM-së këmbëngulin për zgjedhjen e tij kur ka edhe kandidat të tjerë. 
 
“Nga njëra anë këmbëngulet se vetëm një kandidat është i pranueshëm dhe prandaj në kushte të tilla është shumë e vështirë të arrihet pajtueshmëri. Nuk ka rreth të ngushtë, ka vetëm një numër të madh të kandidatëve të cilët janë të aftë të jenë anëtarë. Por, që nga dita e parë këmbëngulin që të jetë anëtar vetëm njëri nga kandidatët”,- tha anëtari i propozuar nga VMRO-DPMNE, Cvetan Çilimanov.
 
Propozime për kandidat të ri për momentin nuk ka. Formimi i Komisionit Ad-hok, që duhet të monitorojë dhe vlerësojë raportimin e balancuar të mediave, ishte një nga kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve. 
 
SANIJE DURAKU