Lëvizja” Besa”: Ktheni votuesit në listë, pastaj shpallni zgjedhjet
Lëvizja “Besa” u ka bërë thirrje liderëve të katër partive...

Lëvizja “Besa” u ka bërë thirrje liderëve të katër partive, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, që para se të marrin çfarëdo vendimi për datën e zgjedhjeve, paraprakisht të marrin vendim që askush të mos fshihet nga lista zgjedhore.
“Lista aktuale nuk përbëhet nga votues që nuk banojnë në Maqedoni, as nga votues fiktivë, as nga votues me dy adresa e plot letërnjoftime – siç kemi pasur informacione të konfirmuara se ka bërë ky pushtet,- madje as nga votues që mund të jenë sjellë nga ndonjë vendbanim jashtë Maqedonisë, por bëhet fjalë për njerëz që jetojnë në Maqedoni, që kanë dokumentacion dhe qëndrim të rregullt në vend. Prandaj, u bëjmë thirrje katër kryetarëve të partive pjesëmarrëse që të mos e shkelin Kushtetutën e vendit dhe mos të lejojnë që askujt t’i merret e drejta universale për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur. Sa u takon zgjedhjeve, ju njoftojmë se Lëvizja “Besa” është e gatshme të marrë pjesë në to, kurdo që të shpallen, sepse ky është mekanizmi që e rikthen demokracinë dhe drejtësinë në Maqedoni, por – përsërisim – ne nuk do të marrim pjesë në asnjë palë zgjedhje që do të jenë të manipuluara dhe me të cilat do të uzurpohet vullneti demokratik i qytetarëve”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes “Besa”. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
