Promovohet libri “Çështja shqiptare në RSFJ 1981-1990”
Dëshmi të reja historike për qasjen e shtetit Jugosllav kundër shqiptarëve, ka sjellë për historiografinë më të re shqiptare studiuesi, Qerim Lita……..

Dëshmi të reja historike për qasjen e shtetit Jugosllav kundër shqiptarëve, ka sjellë për historiografinë më të re shqiptare studiuesi, Qerim Lita.
Në botimin e tij të fundit “Çështja shqiptare në RSFJ 1981-1990”, Lita ka grumbulluar prova nga arkivat vendase dhe ato sllovene, të cilat hedhin dritë mbi platformën politike të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën, dëshmi nga programi politik për Kosovën, por edhe pjesë nga programet e veçanta për diskriminimin e popullsisë shqiptare në Maqedoni.
“Librin të cilin po e promovojmë sot, ka të bëjë pikërisht me ngjarjet e vitit 1981 në trojet etnike të RSFJ-së dhe aksioni i institucioneve shtetërore në atë vit dhe në vitet në vijim, që nëpërmjet projekteve fashizoide të pengojnë rrugëtimin e vullnetit të popullit shqiptar për të qenë të lirë, të pavarur, i cili proces pas tre dekadave do të kulminojë me pavarësinë e Kosovës”, u shpreh historiani, Skënder Asani.
“Qerim Lita ka edhe guximin intelektual, që te do shkencëtar, që mendojnë se janë shkencëtarë, mungon guximi intelektual. Qerim Lita di të zgjedhë tema që janë shumë të ndjeshme për popullin tonë dhe prandaj është ndalë të kapë periudhën e viteve 80-ta”, tha redaktor i librit, Avzi Mustafa.
Sipas autorit, në këtë botim veçanërisht është me rëndësi për historiografinë më të re shqiptare, platforma politike për Kosovën, që është aprovuar nga ish-Komiteti Qëndror i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, në tetor të vitit 1981, pastaj konkluzionet e Komitetit Qëndror LKJ-së, që u miratuan në korrik të vitit 1987 dhe programi politik për Kosovën, që u miratua nga Kuvendi i atëhershëm i Jugosllavisë, në të cilin përveç tjerash, ishte paraparë vendosja e serbëve në Kosovë dhe kthimi i të gjithë atyre që dëshironin të jetojnë dhe të veprojnë në Kosovë.
“Pas këtyre programeve u miratua edhe Komiteti i atëhershëm i Partisë Komuniste të Maqedonisë, i cili miratonte programe të veçanta, ku mbi të gjitha kishte paraparë diskriminimin e popullsisë shqiptare”, - theksoi studiuesi dhe autori i librit, Qerim Lita.
Qerim Lita me këtë vepër u ka dalë zot shqiptarëve dhe trojeve të veta, thotë kryetari i Komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.
“Një numër i konsiderueshëm janë dëshmitarë të kohës dhe atë që shkruhet në libër ndoshta nuk e kanë lexuar në dokumente, por e kanë përjetuar në qenien njerëzore, individuale, familjare apo shoqërore”, u shpreh kryetari i Komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.
Pjesë nga vepra “Çështja shqiptare në RSFJ 1981-1990” janë botuar edhe në shtypin ditor, por vepra ofron edhe shumë dëshmi të papublikuara më parë, në një libër prej 600 faqe. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
