BDI-KSHZ

BDI, ankesë në KSHZ për votuesit e Pustecit

10.04.2014 20:00

BDI në komisionin shtetëror të zgjedhjeve ka dorëzuar ankesën me të cilën kundërshton përfshirjen e 675 votuesve nga Pusteci……….

BDI në komisionin shtetëror të zgjedhjeve ka dorëzuar ankesën me të cilën kundërshton përfshirjen e  675 votuesve nga Pusteci, në  procesin zgjedhor parlamentare. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, theksoi se të gjithë këta persona të cilët evidentohen si votues, nuk e përmbushin kushtin ligjor për të marrë pjesë në zgjedhjet e 27 prillit, e aq më pak për të votuar për deputet të diasporës.

“Që të gjithë këta votues nuk përmbushin kushtin ligjor për të marrë pjesë në zgjedhjet e 27 prillit dhe aq më pak për të votuar kandidatin për deputet të Evropës. Kodi zgjedhor parasheh qartë se të drejtë votimi kanë qytetarët me adresë vendbanimi në Maqedoni, kurse në rastin e votuesve nga Pusteci, ata nuk kanë fare adresë vendbanimi në Maqedoni. Këta qytetarë janë shtetas të Shqipërisë me adresë vendbanimi po në Shqipëri dhe që për arsye të ndryshme janë pajisur me nënshtetësi të Maqedonisë. Ata nuk konsiderohen as diasporë e as mërgimtarë, me qëndrim të përkohshëm në vendet e huaja, e as banorë të Maqedonisë, për të pasur mundësinë e votës”, - deklaroi  zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Sipas zëdhënësit Osmani, BDI kërkon nga KSHZ t’i fshijë këta persona nga regjistri i votuesve, me qëllim që të sigurohet një proces i besueshëm zgjedhor dhe i pranueshëm për të gjitha palët.

“Lënia në regjistër e këtyre personave, do të ishte në konflikt të hapur me përcaktimet për zgjedhje të rregullta dhe të ligjshme. Ne jemi të vetëdijshëm, megjithatë, se qëllimi është vetëm një, shqiptarët të humbin deputetin e Evropës. Ky është një tentim hileqar, për të ndryshuar realitetin etnik të mërgatës dhe për ta dëmtuar deputetin shqiptar”, - theksoi Osmani.

Osmani njëherit apeloi që PDSH  këtë radhë të voton ankesën e BDI-së, me qëllim të mënjanimit të 675 votuesve të paligjshëm të Pustecit.

“Për fat të keq, në këtë lojë kundër shqiptarëve dhe kundër BDI-së u përfshi herën e kaluar edhe PDSH, ndërsa Gjykata Administrative nuk mori parasysh argumentet ligjore dhe votoi në mënyrë politike. Ne apelojmë partitë në KSHZ, sidomos PDSH-në, të rreshtohet të paktën një herë me shqiptarët dhe të votojë ankesën e BDI-së, duke thënë jo 675 votuesve maqedonas që kërkojnë padrejtësisht të jenë pjesë e procesit zgjedhor më 27 prill”, - u shpreh Osmani.

Kohë më parë, KSHZ vendosi që të mos i pranojë aplikimet e votuesve nga Pusteci, për të votuar për deputet të diasporës, por të drejtën e votës ata e fituan me vendim të Gjykatës Administrative. (Zejxhane Osmani, TVM2)