Botë
Protesta në Prishtinë, kundër Vuk Jeremiqit për sekretar në OKB
03.09.2016 17:04
Nënat e personave të zhdukur në luftën e fundit, së bashku me qytetar të tjerë sot protestuan për të kundërshtuar kandidimin e Vuk Jeremiqit, për sekretar të përgjithshëm në Kombet e Bashkuara...

Nga shoqata Thirrjet e Nënave, theksuan se zgjedhja e Jeremiq si sekretar i OKB-se do të ishte zgjedhje kundër humanizmit dhe vlerave, mbi të cilat është krijuar kjo organizatë. Bota demokratike, thonë nga kjo shoqatë duhet t’i ndëshkojë kriminelët dhe jo t’i favorizojë ata.
“Kriminelët duhet të ndëshkohen të kërkojnë falje për krimet e tyre mbi popullatën e pafajshme dhe të ulen në bankën e të akuzuarve. Edhe Sërbia duhet ta dëgjojë thirrjen tonë dhe të heq dorë nga lakmia dhe pozita të rëndësishme përderisa nuk ndrron politika e saj dhe të respektojë konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Mos luani me ndjenjat e familjarëve mos luani me eshtrat e të dashurve tanë. Serbia meriton vetëm denim dhe asgjë më shumë”, tha përfaqësuese e protestës.
Organizatorët e protestës kanë treguar se do t’u dërgojnë një letër proteste të gjithë ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të kundërshtuar nominimin e Vuk Jeremiq për sekretar të Përgjithshëm të OKB-së.
Protestës kundër zgjedhjes se ish-ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiq, në postin e sekretarit gjeneral të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i janë bashkuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
NAIM RAMADANI
