Shën Tereza, shenjtorja shqiptare që bashkon botën në një lutje
Ishte viti 1929 dhe Anjezë Gonxhe Bojaxhi fillimisht u angazhua me mësimdhënien në shkolla për vajza...

Nga këtu e deri në shndërrimin në “shenjtoren e të varfërve”, siç e njohim sot, ka në mes një punë të palodhur e vetëmohuese me të vobektët e të vobektëve, me ata që ishin me një këmbë në varr, me të përçudnuarit, lebrozët e jetimët.
Sot Nënë Tereza kthehet në shenjtore të Kishës Katolike vetëm 19 vjet nga vdekja e saj kur dihet se procedura të tilla zgjasin shumë e kanonizimi mund të kërkojë edhe një shekull.
Urdhrin “Misionarët e Bamirësisë”, murgesha e kthyer në zërin e të pashpresëve e themeloi në vitin 1950 me vetëm 12 motra. Sot numeron 5 161 të tilla në 139 shtete të botës.
Trashëgimia e saj është sot më e fuqishme se kurrë.
Kur shikonte njerëz nëpër rrugë që shtriheshin pranë kazanëve të mbeturinave e hanin aty ç’ të gjenin, asaj i çahej zemra. Nënë Tereza donte një vend ku të mblidheshin këta njerëz e ku dikush të kujdesej për ta. Donte t’ u jepte një jetë me dinjitet. Dhe këtë e bëri gjatë gjthë jetës së saj.
Fituesja e Nobelit të Paqes shihet si një prej grave më me influencë në historinë 2 000-vjeçare të kishës. Ajo pati jetën e një shenjti. Jetoi dhe e ndau jetën e saj me të tjerët, ndaj në sytë e njerëzve dhe në sytë e Zotit, jam i bindur se ajo ka bërë punën e Zotit.
Portreti i Nënë Terezës, që po përdoret gjatë ceremonisë së shenjtërimit të saj në sheshin “Shën Pjetër” u prezantua në Uashington nga artisti Chas Fagan, si i specializuar në portretet dhe skulpturat e presidentëve dhe politikanëve amerikanë. Kërkesa iu bë atij nga organizata Knights of Columbus, e cila ka mbrojtur gjithmonë punën e Nënë Terezës në Kalkuta.
E kanë quajtur shenjtorja e të varfërve, bamirësja e madhe, misionarja që tregoi se dashurinë dhe mirësinë e meritojnë të gjithë njëlloj, por disa e konsiderojnë edhe si “ndërgjegjien e Kalkutës”, qytetit të saj të adoptuar.
Në diten e shenjtërimit të Nënë Terezës, rrugëve të tij, gezimi dhe dashuria për murgeshën katolike që ja kushtoi jetën të varferve dhe atyre që ishin duke vdekur rrugëve të tij, janë thuajse të prekshme.
Në Kalkutë po mbahen lutje, evente kulturore e takime të ndryshme ku diskutohet jeta dhe vepra e saj, ndonëse nuk është planifikuar ndonjë ceremoni madhore në një kohë kur sytë e të gjithëve do të jenë të mbërthyer në Sheshin e Pjetrit në Romë.
Ky shenjtërim është përmbushja e një endrre për miliona njerëz që e mendojnë si ajo. Nënë Tereza ishte mbi fenë. Po të ishte përqendruar vetëm tek konvertimi, siç pretendojnë disa, sot e gjithë India mund të kishte qenë e krishterë.
