Futboll

Kosova në ankth, pret leje nga FIFA për gjashtë lojtarë

04.09.2016 19:02

Përfaqësuesja e Kosovës nesër në mbrëmje do të bëjë debutimin historik në kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”...

Përfaqësuesja e Kosovës nesër në mbrëmje do të bëjë debutimin historik në kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018” me takimin që do të zhvillohet në transfertë kundër Finlandës.

Por trajneri Bunjaki është ende në “ajër” për ekipin që do të hedhë në fushë, pasi FIFA ka vendosur që përgjigja për futbollistët që presin lejen për t’u aktivizuar do të jepet nesër në orën 15:00, pra më pak se 6 orë nga fillimi i takimit.

Sipas burimeve që vijnë nga Kosova, bëhet e ditur se janë 6 futbollistë që presin ende përgjigjen dhe lejen e FIFA-s.

Tani më është konfirmuar se bëhet fjalë për mesfushorin që braktisi Norvegjinë për vendin e tij të origjinës, Valon Berishën, dhe 5 futbollistët që zgjodhën të largohen nga Shqipëria për të përfaqësuar Kosovën, Samir Ujkani, Alban Meha, Milot Rashica, Amir Rrahmani dhe Herolind Shala.

Të 6 këta futbollistë janë praktikisht lojtarë të formacionit të projektuar titullar nga trajneri Bunjaki, por deri nesër në drekë, formacioni i Kosovës do të mbetet gjysmak, dhe mund të ndryshojë totalisht në rast se përgjigja e FIFA-s për aktivizimin e futbollistëve është negative.