Futboll

Shqipëria – Maqedonia, derbi i Ballkanit në Shkodër

04.09.2016 19:07

Stadiumi i rikonstruar dhe i modernizuar “Loro Boriçi” në Shkodër, do të jetë vendi ku përfaqësueset e Shqipërisë dhe Maqedonisë...

Stadiumi i rikonstruar dhe i modernizuar “Loro Boriçi” në Shkodër, do të jetë vendi ku përfaqësueset e Shqipërisë dhe Maqedonisë, me dyluftimin e tyre direkt, do të nisin rrugëtimin në eliminatoret për Botërorin e Rusisë vitin 2018.
 
Në ndeshjen e tyre të nëntë deri më tani, të parën zyrtare, në krahasim nga të kaluarat, është kombëtarja shqiptare ajo e cila futet si favorite e madhe, duke patur parasysh formën aktuale të ekipeve, paraqitjen dinjitoze në Kampionatin Europian të Shqipërisë si dhe rangimin aktual të të dyja kombëtareve, ku kuqezinjët gjenden lartë në vendin e 37-të, ndërsa verdhekuqtë pozicionohen për 101 pozita më poshtë.
 
Në tetë duelet e deritanishme mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, të gjithë miqësore, janë këta të fundit që kanë qenë më të sukseshëm, me katër fitore.
 
Tri ndeshje janë mbyllur pa fitues, ndërsa Shqipëria ka fituar vetëm njëherë. Duhet cekur edhe faktin se dy ballafaqimet e fundit, që u luajtën gjatë vitit 2010 dhe 2011, në Prilep, respektivisht Korçë, janë mbyllur pa fitues dhe gola.
 
Megjithatë, ndeshja e nesërme në Shkodër do të jetë krejtësisht ndryshe edhe për të përzgjehdurit e Gianni de Biasit, edhe për ata të Igor Angellovskit.
 
Shqipëria, është me dëshirë që pas paraqitjes mjaft dinjitoze në Europian, rrugëtimin drejt Rusisë dhe Botërorit 2018, ta nis me fitore, ndërsa Maqedonia, me katër shqiptarët në rradhët e veta, pas dështimeve në dy ciklet e fundit kualifikuese, ku u rradhit si e fundit në grupe, dëshiron që kësaj herë, të kaloj një fazë eliminatore më ndryshe.
 
Ndeshja e xhiros së parë të kualifikimeve për Botërorin e ardhshëm, e vlefshme për grupin G, mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, do të luhet nesër nga ora 20 e 45 minuta, ndërsa programi ynë, do të bëj transmetim direkt nga sfida në fjalë, që do të referohet nga arbitri turk Hysejin Goçek. / Mustafa Ademi