Botë
“Xhungla” në Calais, protestë kundër emigrantëve
05.09.2016 14:46
Protestues të shumtë me kamionë bllokuan rrugën kryesore në Calais të Francës, duke kërkuar mbylljen e kampit të emigrantëve...

Protestues të shumtë me kamionë bllokuan rrugën kryesore në Calais të Francës, duke kërkuar mbylljen e kampit të emigrantëve, i njohur me nofkën “Xhungla”.
Mbi 7 mijë persona jetojnë atje në kushte të tmerrshme, e shumë prej tyre përpiqen të sigurojnë ndonjë mundësi udhëtimi drejt Britanisë. Sipas protestuesve, kampi dëmton qytetin dhe shkakton kaos në port.
“Kemi shumë probleme me ta, sepse gjuajnë me gurë kundër kamionëve tanë”,- tha një shofer kamioni.
“Kjo kështu nuk mund të vazhdojë, kampi duhet të dislokohet. Nuk jemi kundër tyre, e dimë çfarë kanë kaluar, por duhet t’i largojnë në tjetër vend”,- u shpreh një shofer kamioni.
Ata që jetojnë në kamp, kryesisht nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika, shpresojnë të kalojnë kanalin e La Manshit, shpesh duke përdorur trafikantë për të hyrë ilegalisht në Britani.
Më herët gjatë vitit, autoritetet shkatërruan barakat në kamp në përpjekjen për ta mbyllur atë dhe sipas ministrit të Brendshëm, Bernard Kaznev, qeveria nuk ka hequr dorë nga plani.
Javën e kaluar, Britania e Madhe dhe Franca u zotuan të punonin së bashku për rritjen e sigurisë në portin e Calais, përmirësimin e situatës humanitare për mijëra të pastrehë dhe rikthimin në atdhe të emigrantëve të paligjshëm, të cilët do të gjykohen se nuk kanë nevojë për mbrojtje.
Pak ditë më vonë, aktivistët thanë se kishin identifikuar afërsisht 400 fëmijë të pashoqëruar në kampe, të cilët i plotësonin kushtet për të vazhduar udhëtimin drejt Britanisë.
Ata i bënë thirrje Londrës t’i pranojë ata, ndërsa kjo e fundit është zotuar t’u ofrojë strehë 150 fëmijëve në vitin 2016.
BELINDA KOKA-ADEMI
