Maqedoni

Këshilli i Etikës në Media, apel për informim të balancuar gjatë zgjedhjeve

05.09.2016 15:20

Pavarësia redaktoriale, informimi i drejtë dhe i balancuar, ndershmëria, neutraliteti dhe përgjegjësia mbeten ndër parimet...

Pavarësia redaktoriale, informimi i drejtë dhe i balancuar, ndershmëria, neutraliteti dhe përgjegjësia mbeten ndër parimet kryesore të mediave që do të duhet t’i përmbushin gjatë periudhës parazgjedhore.
 
Këshilli i Etikës në Media u bën thirrje të gjithë nënshkruesve të rregullores për raportim etik gjatë zgjedhjeve të bëjnë kujdes gjatë punës së tyre dhe të jenë sa më profesional gjatë raportimit. 
 
“Në interes të punës profesionale dhe etike po presim që në periudhën parazgjedhore mediat të mos shndërrohen në megafon të partive të ndryshme politike, por ata t’u shërbejnë qytetarëve dhe të informojnë opinionin në kohë reale dhe të saktë për të gjitha proceset dhe aktorët politik të përfshirë në zgjedhje. Mediat gjithashtu kanë për detyrë t’i edukojnë qytetarët për të drejtat e tyre demokratike dhe të respektojnë ata vetë rregulloren e nënshkruar nga 92 media për raportim etik për zgjedhjet, sepse gazetaria nuk është për të bërë propagandë”,- deklaroi Marina Tuneva nga Këshilli për Etikë në Media.                            
 
Vetëm këtë vit, deri te Komisioni për Ankesa pranë Këshillit të Etikës kanë arritur 89 ankesa për shkelje të parimeve gazetareske, ndërsa prej formimit të këtij komisioni janë dorëzuar mbi 130 ankesa.
 
Përfaqësuesit e këtij komisioni presin që në periudhën e ardhshme numri  i ankesave të rritet nga portalet, pasi që portalet janë ato që nuk respektojnë rregullat profesionale, thonë ata. 
 
“Ankesat për shkelje të profesionit me siguri do të vazhdojnë edhe gjatë periudhës parazgjedhore nga vet fakti që portalet nuk janë rregulluar me ligj. Në të ardhme presim një numër të madh ankesash për portalet”- tha Mirçe Adamçevksi nga Komision për Ankesa në KEMM.
 
Shkeljet që në vazhdimësi po bëhen janë mungesa e palës tjetër, përzierja e lajmit me komentin dhe prezenca e gjuhës së urrejtjes gjatë raportimit.
 
Këshilli i Etikës në Media planifikon t’i përjashtojë nga ky këshill të gjithë ata që po bëjnë shkelje të parimeve gazetareske.
 
REXHEP QAMILI