Maqedoni

Analistët: Zgjedhjet doemos duhet të mbahen më 11 dhjetor

05.09.2016 15:32

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare domosdo duhet të mbahen, vlerësojnë analistët politik në vend...

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare domosdo duhet të mbahen, vlerësojnë analistët politik në vend, duke e komentuar deklaratën e komisionerit për zgjerim, Johanes Han, se procesi i reformave në Maqedoni nuk kryhet me zgjedhjet e 11 dhjetorit.
 
Sipas profesorit universitar, Mersel Bilali, deklaratat e tilla janë dëshmi se ndërkombëtarët bëjnë me dije se partive politike nuk duhet t’ju shkojë ndër mend që të shfrytëzojnë ngecjen e procesit reformues si shkas për shtyrjen ose anulimin e zgjedhjeve, ndërsa paralelisht me të duhet të zhvillohen edhe reformat. 
 
“Porosia e parë është se zgjedhjet domosdo duhet të mbahen, realisht bashkësia ndërkombëtare është lodhur me problemet e Maqedonisë dhe mospërgjegjësinë e strukturave që menaxhojnë me shtetin. E dyta është të kuptohet se edhe në nuanca në qoftë se nuk jetësohen përcaktime të marrëveshjes së fundit, që nënkupton startim të reformave, ajo nuk nënkupton se do të shtyhen zgjedhjet. Sepse reformat në bazë të segmentit të PRIBE-së janë një fushë shumë e gjerë, të cilat mendoj se me vite do të duhet të jetësohet”,- deklaroi profesori universitar, Mersel Bilali.
 
Analistët vlerësojnë se koha nuk është në anën e politikanëve, pasi që po afrohet momenti kur duhet të plotësohen të gjitha reformat të cilat jo vetëm kërkohen nga BE-ja, por janë edhe në të mirë të vendit dhe qytetarëve. 
 
“Nuk besoj se do të jetë lehtë, mendoj që do të jetë vështirë që të gjithë të pajtohen dhe më në fund të zbatohen të gjitha reformat. Këtë që e thotë komisioneri për zgjerim është një realitet që e dimë të gjithë, do të duhet kompromis dhe ndihmë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve. Partitë politike në një farë forme mundohen t’ju ikin obligimeve që dalin nga ky raport, por, siç po ik koha, edhe ata e kuptojnë se reformat që kërkohen nga BE-ja duhet të zbatohen. Jam optimiste se procesi reformues do të realizohet”,- tha Malinka Ristova nga Qendra për Edukim Europian. 
 
Sipas analistëve, realizimi i reformave do të jetë një proces i monitoruar shumë nga faktori i jashtëm dhe do duhet vite të kalojnë, ndërsa për momentin komuniteti ndërkombëtar kërkon minimum kritere që zgjedhjet të mbahen në dhjetor dhe të jenë kredibile. 
 
SANIJE DURAKU