Maqedoni

Konferenca e parë për inovacione, pjesëmarrëse dhjetëra ndërmarrje sociale

05.09.2016 17:19

Rreth dhjetë ndërmarrje sociale nga Maqedonia u prezantuan në Konferencën e parë për inovacione sociale, në të cilën u paraqitën përvojat nga bota dhe rajoni...

Të pranishmit theksuan se personave të kategorive të rrezikuara sociale duhet t’u jepet mundësi dhe t’i nxisin  që të punësohen në ndërmarrjet sociale, në mënyrë që pastaj ata të përgatiten për tregun e hapur të punës.
 
“Mendojmë se përkrahja e inovacioneve të biznesit social mund të kontribuojë në krijimin e vendeve të reja të punës, konkretisht nxitjen e iniciativës tek të rinjtë”,- tha Nita Starova nga Fondacioni “Fridrih Ebert”.
 
“Në botë bizneset bëhen sociale dhe  sipërmarrësia sociale bëhet e domosdoshme për shkak të dallimit gjithnjë e më të madh ndërmjet të varfërve dhe të pasurve. Në Maqedoni nismat për inovacione sociale dalin nga sektori joqeveritar dhe nëse kihet dëshirë për t'iu ndihmuar personave me nevoja të posaçme, nevojitet mbështetje plotësuese në menaxhimin e ndërmarrjeve sociale”,- tha drejtoresha në "Ballë përballë", Klementina Ilievski.   
 
“Për momentin është në përgatitje ligji për ndërmarrjet sociale. Pres që në periudhën në vijim theks i posaçëm t’i vihet  përkrahjes së këtij lloji të ndërmarrjeve. Megjithatë, ideja ishte që popullatës t’u  tregojmë historitë pozitive nga rajoni dhe bota që t’i inspirojmë për të krijuar biznese të tilla”,- tha Antoneta Ivanova nga "Të rinjtë Info".
 
“Jam këtu për të fituar njohuri të reja që ta prezantoj në emisionin tim "Unë jam Cako", që ka të bëjë pikërisht me këtë tematikë për të cilën sot flitet, se çfarë do thotë jeta për ata persona”,- u shpreh Aleksandar Macovski-Cako.
 
“Prezantohemi me prodhimet e para natyrale për ndërmarrjet sociale dhe mundohemi të përmirësojmë gjendjen ekonomike të prindërit vetushqyes në Maqedoni. Për fillim kemi prodhuar sapunë, kremra dhe balsam për buzë”,- theksoi Dora Tipackova nga Organizata Qytetare “Njëra mundet”.
 
Konferencën e organizoi: Fondacioni "Fridrih Ebert", “Të rinjtë Info”, “Internacional”, “Impak hab Shkup” dhe Asociacioni për hulumtim, komunikim dhe zhvillim "Pablik".
 
Në Konferencën për inovacione sociale morën pjesë edhe inovatorë social nga Austria, Polonia, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia. Konferenca mbështetet nga Projekti për ndërmarrje mikro dhe të vogla të USAID Maqedoni, Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim "Pakomak" Maqedoni. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI