Kulturë

Debat me temë ”Sfidat kulturore”

11.04.2014 18:07

Letërsia shqipe do një zhvillim të vërtetë, me një shkallë krahasimore më letërsitë tjera...

Letërsia shqipe do një zhvillim të vërtetë, me një shkallë krahasimore më letërsitë tjera, ajo nuk duhet të rangohet në mënyrë të gabuar pas politikës, kështu theksuan shkrimtarët dhe dijetarët nga Shqipëria dhe Maqedonia në debatin e hapur me temë:”Sfidat kulturore”, të organizuar nga Libraria e Çarshisë dhe shtëpia botuese “Toena”, nga Tirana.
 
“Vendet e pacivilizuara kanë këtë raport, politika është mbi kulturën, kjo është krejtësisht e gabuar, është absolutisht e gabuar, është marrëzisht e gabuar, një filozofe e madhe amerikane ka thënë se në këto vende një gram pushtet peshon më shumë se një tonelatë intelekt. Letërsia shqipe do zhvillime të vërteta dhe nuk do një zhvillim brenda kuadrit thjesht nacional brenda popullit, por do të ketë një bashkënjohësi, me një shkallë krahasimtare me letërsitë e tjera të popujve ballkanik”, u shpreh shkrimtari, Mojkom Zeqo.
 
“Të konsiderohet si një letërsi dhe jo si e copëtuar kështu si funksionon dhe nuk funksionon sot”, tha akademiku, Ali Aliu.
 
Debatet e këtilla janë të mirëseardhura, theksuan kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe përfaqësuesi për kulturë nga Kuvendi i Shqipërisë,  Fatmir Toçi.
 
“Është një mundësi e rrallë, uroj që panairi të kalojë këtë vit më mirë se vitet e tjera, uroj që libri të jetë më afër nesh se çdo herë më parë, i përgëzoj për prezencën”, theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
“Është kënaqësi e veçantë që në fund kemi arritur të kuptojmë njëri-tjetrin, që ne te jemi prezent kudo që ka ballafaqime mes kulturave, midis letërsive”, tha përfaqësuesi i kulturës në Kuvendin e Shqipërisë, Fatmir Toçi.
 
Gjatë debatit, të pranishmit u njohën edhe me titujt më të ri të shtëpisë botuese”Toena “, të cilat mund t’i gjejnë lexuesit në Panairin e Librit.
 
Rina Turkeshi, TVM2