Maqedoni

“Lagja e trimave”, vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtur

06.09.2016 17:06

Pas një muaji pushim, vazhdon përsëri procesi gjyqësor për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.

Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, sepse në pyetje janë marrë dëshmitarët e mbrojtur dhe policët që kanë marrë pjesë në luftimet e vitit të kaluar.
 
Seanca u zhvillua në sallën e madhe në Gjykatën supreme për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, 37 persona.
 
Numri i të akuzuarve u rrit, pasi që u bashkuan dy lëndët “Lagja e Trimave” dhe “Vetëtima”, të parët akuzohen për veprën penale terrorizëm, ndërsa të dytët për mbështetje logjistike.
 
Gjatë muajit shtator janë caktuar edhe pesë seanca, në të cilat do të vazhdojnë të dëshmojnë dëshmitarët e koduar. Deri më tani të akuzuarit e kanë hedhur poshtë akuzën për terrorizëm dhe thanë se nuk ndjehen fajtorë për veprat me të cilat ngarkohen.
 
Në seancat e mëparshme janë dëgjuar dëshmitarë të shumtë të  propozuar nga Prokuroria, familjarë dhe fqinjë të të akuzuarve, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Njësisë Speciale.
 
SANIJE DURAKU