Maqedoni

ASHMAA: Dy televizione tejkaluan limitin e programit të paguar politik

11.04.2014 18:23

Agjensia për shërbime mediatike, audio dhe audio-vizuele, ka konstatuar se dy televizionet që emitojnë program në nivel shtetëror...

Agjensia për shërbime mediatike, audio dhe audio-vizuele, ka konstatuar se dy televizionet që emitojnë program në nivel shtetëror, Tv Alfa dhe Alsat M, kanë tejkaluar limitin e kohës së programit të paguar politik.
 
Nënkryetari i agjensionit për shërbime mediatike, Milaim Fetai, theksoi se është një periudhë shumë e ndjeshme dhe specifike dhe gjatë konstatimit për tejkalimin  e  limitit kohor asgjë s’ka qenë kontestuese, sepse bëhet fjalë për mbulim mediatik të zgjedhjeve dhe kodi zgjedhor është preciz në këtë drejtim.  
 
“Në këtë mbledhje konstatuam se ka pasur dy shkelje nga dy televizionet që emitojnë program në nivelin shtetëror. Kishte të bëjë me tejkalimin e limitit për kohën e programit të paguar politik prej disa sekondave dhe disa minutave. Këtu nuk kemi shumë dilema, sepse bisedohet për çështje shumë konkrete, për matjen e kohës  me sekonda, sa sekonda është tejkaluar dhe konstatohet edhe shkelja”, deklaroi zëvendëskryetari i agjensionit për shërbime mediatike, Milaim Fetai.
 
Nënkryetari i agjensionit për shërbime mediatike, Milaim Fetai, deklaroi se dënimet janë të precizuara për tejkalimin e limitit të kohës së paraparë për programin e paguar politik, për televizionet dënimi është prej 3 mijë deri në 5 mijë euro, ndërsa për kryeredaktorin e televizionit është paraparë dënim prej 1 mijë deri në 3 mijë euro, me atë që ata kanë mundësi që të drejtohen në agjensionin për Shërbime Mediatike dhe të bëjnë pagesën e gjysmës së parapara të dënimit, të cilën mund ta shqiptojë Gjykata.
 
Sanije Kasami, TVM2