Maqedoni

RDK mbajti tubim në Gostivar

11.04.2014 18:32

Rilindja Demokratike Kombëtare, mbrëmë në qytetin e Gostivarit prezantoi platformën për zgjedhjet parlamentare të 27 prillit...

Rilindja Demokratike Kombëtare, mbrëmë në qytetin e Gostivarit prezantoi platformën për zgjedhjet parlamentare të 27 prillit, para të rinjve të kësaj partie.
 
Kryetari i kësaj partie, Rufi Osmani, njëherit dhe bartës liste në njësinë zgjedhore numër 6, para të pranishmëve theksoi se RDK vazhdon me politikë, e cila është në favor të shqiptarëve, sidomos të rinisë shqiptare.
 
Sipas Osmanit,  është koha për një frymë të re politike, e cila me përkushtim do të punojë dhe sjellë ndryshime për çështjen shqiptare në Maqedoni. Osmani në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shpreson në  fitore të RDK-së.
 
“Dhe pikërisht ky motiv, ky inspirim ishte ai që më nxiti të rikthehem në politikë në vitin 2009, së bashku me opsionin “Është koha për ndryshime” dhe ju ishit shkaku, motivi dhe sot vazhdoni të jeni inspirim i kësaj beteje, që me siguri këto zgjedhje do jetë një fitore e madhe e rinisë dhe e RDK apo jo”, deklaroi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.
 
Dëshiroj të ndaj së bashku me ju disa shqetësime, që janë shqetësime tona të përbashkëta, tha para banorëve të Gostivarit Osmani. Ai tha se politika ka një definicion dhe një mision tjetër nga ajo që e bëjnë qeveritarët.
 
Sipas Osmanit, të flasësh para të rinjve duhet të jesh shumë i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm, duhet tua thuash të vërtetën dhe duhet t’u japësh shembull konkret se si duhet të punohet në dobi të popullit.
 
Osmani para të pranishmëve tha se RDK ua do të mirën rinisë edhe kur kanë qenë të kërcënuar dhe të rrezikuar.
 
Nga RDK thanë se motivi i tyre është të përmirësojnë gjendjen ekonomike të qytetarëve, kështu duke realizuar investime në vendet e banuara me shqiptarë. Nga RDK thonë se vetëm në këtë mënyrë rinisë shqiptare do t’i hapen vende të reja të punës, gjë e cila do të pengonte shpërnguljen e tyre jashtë vendit.
 
Vlora Latifi, TVM2